Të dashur qytetarë të Tiranës, vullnetarë e aktivistë të fushatës tonë! Kjo është një ditë e rëndësishme për mua, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të gjithë ata që iu bashkuan Aleancës për Shqipërinë Europiane, pasi na keni ngarkuar përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës.

Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, cinik për qytetarinë e këtij vendi, skeptik për demokracinë tonë – sot ka një përgjigje. Qytetarët dolën masivisht në votime, konfirmuan një demokraci aktive dhe i dhanë fitoren Aleancës për Shqipërinë Europiane në 46 Bashki të vendit – fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit. Shumica e shqiptarëve vendosën të vazhdojnë në Drejtimin e Duhur dhe për këtë jemi mirënjohjes e tejet të përulur.

Një mirënjohje të veçantë dua t’i çoj veprimtarëve Socialistë, atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mbështetësve të Frymës së re Demokratike, PDIU, PDS dhe gjithë partive të tjera, që e trajtuan fushatën si një garë të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Dua të falënderoj nga zemra Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për mbështetjen dhe inkurajimin konstant të fitores spektakolare të Aleancës tonë.

Faleminderit nga zemra mikut e kolegut të përkushtuar Saimir Tahiri, ekipit të deputetëve, kandidatëve për këshillin bashkiak dhe drejtuesve politik të Tiranës për punë të palodhur ditë – natë, që prodhoi një fitore historike me mbi 43mijë vota në Tiranë.

Ju jam mirënjohës e ju uroj punë të mbarë të gjithë komisionerëve e numëruesve të të gjitha palëve për sjelljen qytetare që kanë demonstruar gjer më tash dhe ju kërkoj që të vazhdojmë me po të njëjtin përkushtim, teksa administrohet fitorja jonë në këshillin bashkiak.

Për 30 ditë gjeneruam një fushatë qytetare, me mesazhe konkrete për qytetarët – nevojat që diskutohen në tavolinën e bukës – duke dhënë shembull edhe për qytetet e tjera të vendit dhe që në fund shkuam te zgjedhjet më të mira, më të lira dhe të ndershme të zhvilluara ndonjëherë në këtë vend.

Meritat për këtë nuk janë vetëm tonat, por – këtu në Tiranë – dhe të kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë.

Gjej rastin të falenderoj dhe kandidatët e tjerë dhe gjithë ata që u përfshinë në këtë garë, t’i përgëzoj për garën dhe t’i ftoj të mos ndjehen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë, e në emër të këtyre gjërave e mezi pres bashkëpunimin me të pestë kolegët.

Të dashur miq, fitorja në vetvete nuk është ndryshimi. Fitorja është mundësia që këtë ndryshim që duam ta bëjmë realitet, në çdo cep të Tiranës së re, nga Shëngjergji në Ndroq, nga Kinostudio në Kombinat, nga Sauku në Laprakë.

Fitorja është shumë e madhe, por jemi të përulur – pa bori, pa tam-tame, pa festime e manifestime. Jemi të vetëdijshëm që qyteti s’i ka punët mirë, ndaj në vend që të festojmë, duhet të përveshim mëngët që ta çojmë në drejtimin e duhur. I kërkoj të gjithë aktivistëve të jenë të përmbajtur, modest e të përulur në fitoren tonë.

Kjo fitore i përket njerëzve të thjeshtë të këtij qyteti që me një rezultat të madh na kërkojnë të mbajmë përgjegjësi të madhe. Unë dhe ekipi ynë jemi gati për këtë përgjegjësi.

Për të gjithë ata që nuk na e dhanë mbështetjen me votë këtë herë të parë, dua t’ju them qartë – mund të mos më keni dhënë votën, por ju siguroj që e dëgjoj zërin tuaj. Do t’ju shërbej njësoj, pa i ndarë njerëzit në ata që na dhanë apo s’na dhanë votën, duke sjellë një kulturë të re që i bashkon e jo përçan njerëzit e qytetit tonë – do jem 24/7 edhe shërbëtori juaj në Bashki.

Ndërkohë, i kërkoj administratës së Bashkisë së Tiranës të mos ndërpresë në asnjë moment shërbimet ndaj qytetarëve gjatë kohës që bëhet tranzicioni i ekipeve. Ju kërkoj të frenohen nga politika e ‘tokës së djegur’, për të shmangur atë që ndodhi në vitin 2013, ku Qeveria në largim rriti borxhin e shtoi shpenzimet që lanë arkën bosh, pasojat e të cilës i vuajmë ende sot. S’ka asnjë ngut për të lidhur kontrata 4-5 vjeçare këto ditë në transport publik, ujësjellës e mbledhje mbeturinash, që nuk respektojnë ndarjen e re administrative e që janë në frymën e vjetër të politikes ‘pas meje u beftë qameti’. Bashkia dhe njësitë do kenë një audit, për ta nisur me transparencë ndaj publikut një erë të re ndryshimi në Tiranë.

Në fund, unë ndihem sot njeri i bekuar nga gjithë dashuria e mbështetja juaj. Provë se në këtë vend, mund t’ia dalësh dhe pa qenë nga një familje e njohur, dhe pa qenë dikushi në ‘piacën e Tiranës’. Do t’ua shpërblej këtë mbështetje duke promovuar çdo ditë djem e vajza të zakonshëm të qytetit tonë, që duan të ecin përpara jo falë mbiemrit e tarafit, po falë punës, talentit e mundësive që ju ofrohen të gjithëve njësoj.

Na priftë e mbara, e krahë të lehta për punët që na presin. Zoti e bekoftë Tiranën e gjithë Shqipërinë tonë!

Top Channel