Poloni, ndalohen 2 adoleshentë ekskursionistë se vodhën në Aushvic

23/06/2015 00:00

Policia polake ka njoftuar ndalimin e dy adoleshentëve britanikë këtë të martë, pranë vendit të ish-kampit vdekjeprurës të Aushvicit, pas dyshimeve se ata vidhnin artefakte që u përkisnin ish-të burgosurve të mbajtur atje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy të ndaluarit, të moshës 17-vjeçare, janë nxënës të shkollës “Perse” në Kembrixh të Anglisë. Ata ishin shfaqur si vizitorë të kampit, pjesë e një udhëtimi mbi baza historike, siç njoftoi shkolla përmes një deklarate.

Nxënësit u kapën pasditen e së hënës duke vepruar në mënyrë të dyshimtë pranë vendit, ku gardianët e Gjermanisë naziste ruanin mjetet që u përkisnin të burgosurve e të konfiskuara prej tyre. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i Muzeut, i cili operon në vendin ku ndodhet ish-kampi fatkeq.

Pas një kontrolli në trup, atyre iu gjetën sende të cilat mund të jenë vjedhur nga vendi i ngjarjes, përfshi edhe një pjesëz brisku rroje, një pjesëz luge, disa kopsa dhe dy pjesë xhamash.

Sipas deklaratës së shkollës, nxënësit “janë përpjekur të mbajnë disa prej sendeve me vlerë historike, të cilat janë gjetur prej tyre përtokë”. “I kuptojmë sqarimet e tyre, se i kishin marrë sendet pa e menduar gjatë dhe se kanë kërkuar falje për veprimet e tyre, që mund të jenë marrë edhe si ofendim, por ata e shprehën keqardhjen e tyre”, tha zëdhënësi i shkollës britanike.

Të dy adoleshentët janë marrë në pyetje përmes një përkthyesi, tha zëdhënësi i policisë rajonale, si dhe janë ende në pritje të vendimeve të mëtejshme pas ndalimit të tyre. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me një dënim deri në 10 vite burgim, siç deklaroi policia.

Por, shkolla ka deklaruar se nxënësit janë duke bashkëpunuar totalisht me autoritetet polake.

Aushvici ndodhet pranë qytetit të Krakovës, në jug të Polonisë, dhe është bërë një simbol i gjallë dhe therrës i Holokaustit të gjermanëve nazistë, që shkaktuan vdekjen e mbi 6 milionë hebrenjve në mbarë Europën. Vetëm në Aushvic janë përndjekur dhe janë sakatuar rreth 1,5 milionë njerëz, shumica hebrenj europianë, të ekzekutuar me armë, të varur, të djegur ose të mbytur në dhomat e gazit.

Top Channel