Sekretari amerikan i Forcave Detare: Mbështetje krijimit të FAK-së

23/06/2015 00:00

Sekretari amerikan i Forcave Detare, Ray Mabus, gjatë një vizite në Prishtinë premtoi mbështetje për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Vizita ime ka për qëllim të theksojë rëndësinë që kanë për qeverinë, forcat ushtarake dhe popullin amerikan marrëdhëniet me Kosovën. Marinsat tanë reagojnë në kohë krizash dhe ndaj katastrofave humanitare dhe në këtë drejtim mirëpres zgjerimin e rolit të korpusit të marinsave amerikanë pranë FSK-së. Qeveria jonë do të punojë me qeverinë e Kosovës dhe FSK-në, derisa ato të lëvizin drejt sigurimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, deklaroi Mabus.

Mabus, i cili vizitoi dhe vende të tjera të rajonit, e dha deklaratën në një konferencë për shtyp ku nuk u lejuan pyetjet.

Ndërsa për takimin e tij me presidenten Atifete Jahjaga, informacioni erdhi nga Presidenca e Kosovës, me një komunikate për shtyp.

Sipas kësaj komunikate, presidentja e informoi zyrtarin amerikan se, Kosova nuk kursehet para sfidave të shumta globale, posaçërisht në fushën e sigurisë dhe përballë kërcënimeve të ekstremistëve.

Ajo tha se, prania amerikane në Kosovë ka ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në vend, por edhe në rajon në tërësi.

Duke folur për FSK-në, presidentja tha se Forca e Armatosur duhet të jetë pjesë e Partneritetit të Paqes të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it.

Top Channel