Kundërpërgjigjja ndaj Rusisë, SHBA furnizon Europën edhe me tanke

23/06/2015 00:00

Ushtria amerikanë do të dërgojë dhjetëra tanke, mjete luftarake të blinduara të tipit “Bradley”, por edhe të tipit gjuajtës topash, drejt vendeve aleate në detin Baltik dhe në Europën Lindore, në kundërpërgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Lajmi është bërë i ditur këtë të martë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter. Pajisjet, të cilat janë të mjaftueshme për të armatosur një brigadë luftuese, do të vendosen në Estoni, Lituani, Letoni, Bullgari, Rumani dhe Poloni, deklaroi më tej Carter, gjatë një konference për shtyp me aleatët e SHBA-ve të mbajtur në Estoni.

Carter deklaroi më tej se pajisjet do të lëvizin edhe në vende të tjera të Europës për trajnime dhe stërvitje. Shefi amerikan i Mbrojtjes tha se Uashingtoni dhe aleatët e tij në NATO do të duhet të përforcojnë edhe përpjekjet për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

“Duhet t’i përgatisim aleatët tanë dhe ata të NATO-s për sfidat e rëndësishme kibernetike, veçanërisht ato të Rusisë”, tha Carter në një fjalim të parapërgatitur. Njoftimi i Carter vjen gjatë një turi njëjavor në të gjithë Europën.

“Duhet t’u shpjegojmë atyre që ende dyshojnë në vlerat e angazhimeve tona në NATO, se siguria e Europës është jetike përpara çdolloj gjëje tjetër, për të cilën ndiejmë dashuri”, tha Carter gjatë një shfaqjeje për shtyp së bashku me homologun e tij gjerman, gjatë së hënës.

E ndërsa Carter nuk do të vizitojë Rusinë gjatë këtij udhëtimi, influenca e Presidentit rus, Vladimir Putin, duket se ka bërë të vetën në diskutimet e këtij turi.

“Një prej pikëpamjeve të deklaruara të Putinit është dëshira e tij e madhe për të kaluarën, pikërisht ajo që na bën neve të kemi dallime, pasi ne shohim një tjetër perspektivë për të ardhmen e botës, madje edhe të vetë Rusisë”, tha ai për reporterët, teksa ishte duke udhëtuar drejt Gjermanisë, në përgjigje të një pyetjeje nëse Putin i dukej si një aktor racional.

“Do të donim të shihnim që të gjithë ne së bashku të mund të ecnim përpara, Europa të ecte përpara, por kjo gjë nuk është e dukshme në perspektivën e shprehur prej tij”.

Carter foli edhe për komentet e bëra nga Putin gjatë javës së kaluar, ku njoftoi shtimin e 40 raketave të reja balistike ndërkontinentale në arsenalin bërthamor të Rusisë, një lëvizje kjo, të cilën Carter tha se reflekton pozicionin e marrë nga vetë udhëheqësi i Rusisë.

“Armët bërthamore nuk janë diçka që duhet të bëhet subjekt i retorikës së lëshuar nga udhëheqësit e botës, – tha Carter. – Të gjithë ne duhet të kuptojmë peshën e rreziqeve bërthamore. Të gjithë duhet të kuptojmë se Rusia është një fuqi bërthamore e themeluar prej një kohe të gjatë. Nuk ka nevojë për Putinin, që ta bëjë të qartë këtë gjë”.

Komentet e Carterit janë të fundit e një “lufte fjalësh” të përshkallëzuara mes zyrtarëve të lartë të SHBA-ve dhe Rusisë. E megjithatë, duke folur të premten në Forumin Ndërkombëtar të Ekonomisë, të mbajtur në Shën Pjetërburg, Putin hodhi poshtë faktin që qeveria e tij po bëhet gjithnjë e më agresive. “Ne nuk jemi agresivë, – tha Putin. – Thjesht po këmbëngulim në përmbushjen e interesave tona”.

Veç planit të Carter për tanket e ushtrisë amerikane në Europë, edhe Forcat Ajrore të SHBA-ve njoftuan një javë më parë mbi rotacionin e disa avionëve të teknologjisë së lartë në stërvitjet e vendeve europiane, si avionët bombardues B2 dhe B52, si dhe avionët sulmues F15Cs dhe A10. Por, lajmi më i bujshëm ishte fakti se këtij arsenali mund t’i bashkohen edhe avionët F22.

Top Channel