Basha: Zgjedhjet, hap i madh për ringritjen e PD. Rama-Meta, mekanizëm presioni dhe blerjeje votash

23/06/2015 00:00

Gotën e 21 Qershorit, Lulzim Basha e sheh gjysmëplot. Kreu i demokratëve, në konferencën e parë pas zgjedhjeve të së dielës, vlerëson se ka një ringritje të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, dhe një braktisje të mazhorancës.

Kreu i demokratëve lexon si sukses fitoren në bashki, ku demokratët nuk fitonin prej dy dekadash dhe ngushtimin e diferencës në bashkitë ku kanë humbur, si një fitore dhe sinjal i qartë i ringritjes së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.

“Pavarësisht presioneve ndaj administratës dhe përfshirjes në fushatë të institucioneve shtetërore, pavarësisht transferimeve të mijëra zgjedhësve dhe falsifikimit të kartave të identitetit, pavarësisht presionit ndaj medias së lirë, PD ka hedhur një hap të madh në rrugën e rengritjes duke rritur mbështetjen popullore”, tha Basha.

Basha kishte dy mesazhe për procesin e numërimit, njërin për komisionerët dhe tjetrin për dy krerët e mazhorancës.

“Të vazhdohet procesi i rregullt dhe transparent i numërimit të votës së shqiptarëve. I bëj thirrje dyshes Rama-Meta që të heqin dorë nga çdo përpjekje për të shtrirë parregullsitë në këtë fazë të procesit zgjedhor”, deklaroi Basha.

Për opozitën, 21 Qershori ishte një mesazh i qartë kundër mazhorancës dhe ndarjes së re administrative.

“Zgjedhjet treguan që pazaret që shtuan vagonat e babëzisë në trenin e Qeverisë, që koalicioni i tyre ka pësuar një braktisje të qytetarëve, një braktisje për Ramën dhe Metën, kundër ndarjes administrative të bërë në kundërshtim me vullnetin e tyre, është votë kundër babazisë. Nëse e shihni ka një braktisje të mazhorancës në rangun 200-250 mijë vota dhe ka një rritje të PD në mbarë vendin”, deklaroi Basha.

Basha tha se PD ka të dokumentuara një sërë problematikash të zgjedhjeve, por zgjodhi të mos i publikojë gjatë dhe para 21 Qershorit për të mos ndikuar në pjesëmarrjen e qytetarëve në votim. Sipas shefit të opozitës, problematikat e hasura nga PD, kanë gjetur pasqyrim edhe në raportet e reagimet e partnerëve ndërkombëtarë.

“Zgjedhjet janë dukshëm një kthim pas. OSBE, BE dhe SHBA folën qartë dhe pretendimet e PD u vërtetuan. Qeveria injoroi kërkesën tonë për të mos kandiduar persona me rekorde kriminale. Kjo qeveri tregoi që nuk është e interesuar për të përmbushur detyrimet e saj para shqiptarëve”, tha Basha.

Basha u premtoi qytetarëve se 21 Qershori nuk do të ndalë luftën e Partisë Demokratike për ato që premtoi përgjatë fushatës elektorale.

“Ne do të vazhdojmë betejën tonë për t’i kthyer Shqipërisë shpresën, punën, dinjitetin. Beteja jonë kundër blerjes së votës, kundër kandidatëve me rekorde kriminale, për t’u hequr lakun nga fyti qindra familjeve në vështirësi, për taksa më të ulëta dhe çmime më të lira, do të vazhdojnë edhe më tej, pas mbështetjes së madhe që ka marrë Partia Demokratike. Do të vijojmë me vendosmëri të madhe përtej zgjedhjeve të 21 Qershorit”, u shpreh ai.

Top Channel