Kosovë, raporti i BQK-së në komision: Remitancat, burimi kryesor i të ardhurave

23/06/2015 00:00

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka raportuar të martën para Komisionit Parlamentar për Buxhetin dhe Financat, mbi të ardhurat dhe shpenzimet gjatë vitit 2014.

Ai tha se, ekonomia e vendit në vitin 2014 shënoi normë reale të rritjes prej 2.7 për qind, ndërsa deficiti tregtar në mallra shënoi rritje, duke arritur në 2.2 miliardë euro, ndërsa vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova arriti në 324.6 milionë euro.

“Në kuadër të bilancit financiar, kategoria kryesore vazhdon të përbëhet nga investimet e huaja direkte, të cilat në vitin 2014 shënuan një vlerë prej 123.9 milionë eurosh, në krahasim me vlerën prej 250.2 milionë euro në vitin paraardhës. Ndikim të rëndësishëm në rënien e investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2014 ka pasur shitja e aksioneve të disa prej kompanive të huaja, që operojnë në Kosovë, te rezidentët kosovarë, si dhe shpërndarja e dividentëve nga disa kompani të huaja”, tha Bedri Hamza, guvernator i BQK-së.

Anëtarët e komisionit për Buxhetin dhe Financat shprehën shqetësimet e tyre për bilancin tregtar dhe importin shumë të lartë.

“Bilanci tregtar vazhdon të mbetet jashtëzakonisht negativ, për shkak të ekonomisë së brishtë të Kosovës, e cila ka një import prej 2 miliardë e gjysmë eurosh, me një rritje vjetore prej 3.6 për qind, ndërsa ka një eksport kryesisht të bazuar në eksportin e metaleve prej 324 milionë e 600 mijë eurosh. Ky bilanc është jashtëzakonisht negativ. Por, falë remitancave që kemi nga diaspora, falë edhe Parlamentit e guvernatorit, ne arritëm të bëjmë të paktën një lehtësim për ta, me vendimin e fundit që ka marrë guvernatori, lidhur me lehtësimin e tarifës kufitare. Megjithatë, remitancat për ne paraqesin thuajse një burim kryesor primar”, tha Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhetin dhe Financat.

“Ajo çfarë më ka bërë përshtypje në këtë raport, kur shohim te paraqitja e ekonomisë së Kosovës, është fakti se ka një rënie të investimeve publike prej 22.3 për qind, ku në fakt kemi pasur një trend në rritje. Tashmë kemi një trend tepër të madh zbritjeje të investimeve publike dhe investimeve të huaja direkte prej 46 për qind. Çka do të thotë se janë dy gjëra mjaft të rëndësishme, të cilat kanë refleksione në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Safete Hadërgjonaj, deputete.

Gjatë këtij raportimi, deputetët shfaqën shqetësime edhe për normat e larta të interesit të kredive, që kanë bankat tregtare.

Por, guvernatori i Bankës Qendrore kosovare tha se, kjo brengë duhet të adresohet përmes hartimit të legjislacionit të ri, për të pasur mundësi ndikimi te bankat për normat e interesit.

Top Channel