Rama: Shqiptarët konfirmuan drejtimin e duhur. Humbi referendumi i opozitës

23/06/2015 00:00

Ndryshe nga ajo çfarë deklaroi Lulzim Basha, për Edi Ramën zgjedhjet e 21 Qershorit, jo vetëm që ishin më të ndershmet, më të lirat dhe më të mirat në historinë e vendit, por bartin edhe dy mesazhe, një për mazhorancën dhe një për opozitën.

“Unë personalisht nuk kam dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave tona nga qytetarët, por 21 Qershori është një shtysë për të thelluar reformat dhe masat që shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe. Në këto zgjedhje, populli i Shqipërisë e ngarkoi Aleancën për Shqipërinë Europiane, me një përgjegjësi të re. Shqiptarët konfirmuan fuqishëm aleancën tonë si drejtimin e duhur. Na kanë kërkuar të qeverisim shifrën më të madhe të njësive vendore që i kanë ngarkuar ndonjëherë për detyrë një pale politike në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk kam arritur t’i gëzohem për asnjë çast kësaj fitoreje kaq të madhe sepse qysh kur u mbyll votimi kuptova se çfarë kapitali të madh besimi ju investuat përsëri, pavarësisht sa e madhe është ende barra e papunësisë, pesha e varfërisë apo papunësia e përditshme për shumë prej jush. Ky është drejtimi i duhur për të mirën e vendit tonë, që është mbi të gjitha vendi i fëmijëve tanë”, tha Rama.

Në daljen e parë pas së dielës, Rama i cilësoi zgjedhjet si humbje të kauzës së opozitës, që 21 Qershorin e pa si referendum për të kundërshtuar reformat e qeverisë.

“Referendumi i kërkuar nga Partia Demokratike ka humbur edhe më thellë nga sa prisnim të gjithë. Por mos prisni nga ne t’u biem daulleve të një fitoreje të tillë, pasi për ne këto zgjedhje ishin për familjet, për gratë, për fshatin, për çdo komunitet. As unë as bashkëkryetari i aleancës nuk dolëm në këtë fushatë për referendumin qorr të Partisë Demokratike, por për vëmendjen e njerëzve tek arsyet reale për 21 Qershorin”, shtoi kryeministri.

Më tej, duke u ndalur tek procesi zgjedhor, Rama renditi një sërë problematikash të së shkuarës, që sipas tij, nuk u panë në këto zgjedhje.

“Qeveria bëri që për herë të parë të mos mbyllej asnjë shkollë për të çuar nxënës dhe mësues për të shkuar në mitingun e kryeministrit apo shefit të Kuvendit, për herë të parë të mos ushtrohej presion nga asnjë punonjës i shtetit, të mos implikohej asnjë forcë e ushtrisë për të hedhur çakull elektoral për votat e kandidatëve të pushtetit, të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të fortët për vota për llogari të pushtetit, të mos hapeshin dyert e burgjeve për kriminelët me damkë, siç ndodhte deri në 2013”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë dhe u kërkoi numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejtë çdo votë të shqiptarëve.

“Historia e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ka treguar që është e larmishme. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht. Koha kur partive të vogla u merreshin votat nga numëruesit për partitë e mëdha ka marrë fund. Kush gabon dhe e risjell këtë kohë, mos harrojë që ligji e ndëshkon penalisht”, deklaroi Rama.

Zgjedhjet ishin hapi i fundit i lindjes së një Shqipërie të re, me 61 njësi vendore, por edhe të parat ku në këshillat vendore përfaqësua gjinore është e barabartë.

“61 njësi zhvillimi ekonomik, urban dhe social. Kjo është Shqipëria e re, e qytetarëve të barabartë që organizimi nuk i ndan më në qytetarë të kategorisë së parë në qytet, dhe njerëz në fshat. Barazia e plotë gjinore është kthyer në fakt, që krijon premisat e një epoke të re zhvillimi. Jam krenar që ASHE ka bërë të mundura këto dy ndryshime historike pa u mbushur ende 2 vite nga mandati ynë”, tha kryeministri.

Top Channel