Skandali i parkimeve në Fier, Prokuroria sekuestron karrotrecët e një kompanie private

23/06/2015 00:00

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar disa automjete tip karrotrecë të kompanisë “International Parking 2011”, drejtuesit e të cilës edhe pse janë në proces gjyqësor, të akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit”, vijuan aktivitetin paligjshëm duke u marrë automjetet e qytetarëve, të cilët parkonin në rrugët kryesore të qytetit.

Prokuroria e Fierit nisi hetimet pasi shumë qytetarë nga Fieri, por edhe nga qytete të tjera, kanë kallëzuar përfaqësuesit e kompanisë private, që të kontraktuar nga Bashkia Fier, abuzojnë haptasi me detyrën dhe u dërgojnë makinat e tyre në pikën e grumbullimit të firmës, pavarësisht faktit se qytetarët kanë ndaluar vetëm për pak minuta.

Për më tepër, duke u sjellë në mënyrë arrogante, sipas kallëzuesve, janë të detyruar të paguajnë shuma nga 10-13 mijë lekë të reja për të rimarrë mjetin e tyre.

Për këto fakte, aktualisht janë në gjykim 8 persona, 6 prej të cilëve drejtues dhe punonjës të kompanisë private dhe dy zyrtarë të Bashkisë së Fierit, përgjegjës për zbatimin e kontratës ndërmjet bashkisë dhe kompanisë.
 
Gjithsesi, pavarësisht se kjo çështje është në gjykim për shkak të abuzimit të kompanisë, sërish kjo shoqëri private vijoi me paligjshmërinë në të njëjtën mënyrë si më parë.

Nga hetimi ka rezultuar se babai i administratorit të kompanisë, shtetasi F. Kajolli, urdhëronte punonjësit e tij që të arkëtojnë minimumi nga 30-50 mijë lekë të reja në ditë, ndërkohë që për të realizuar këtë kuotë ata duhet që të gjenin vetë mënyrat.
 
Punonjësit e kompanisë, të detyruar për të realizuar këtë kuotë ditore, por edhe më shumë se sa aq vijuan abuzimin, duke u marrë mjetet qytetarëve me karrotrecë dhe duke u kërkuar shuma të ndryshme për të mundësuar rikthimin e mjetit.

Në këto kushte, Prokuroria e Fierit urdhëroi sekuestrimin e mjeteve me të cilat kompania operon kundër qytetarëve, pasi mori miratimin edhe të Gjykatës.

Top Channel