Rama: Brenda vitit plotësohet decentralizimi

23/06/2015 00:00

Gjatë fjalimit të tij të parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe paketën ligjore që duhet t’i bashkëngjitet reformës administrativo-territoriale, për të përmbushur në kuptimin e plotë të fjalës decentralizimin e njësive vendore nga pushteti qendror.

“Uroj që gurëve të parë të vendosur në këtë model të ri të zgjedhjeve të lira nga mazhoranca, opozita t’iu kontribuojë në të ardhmen me gurë të tjerë, për të arritur perfeksionin. Deri në fund të vitit duhet të bëjmë gati paketën ligjore të decentralizimit real të njësive vendore dhe jo copëtim të njësive administrative të vendit, siç është bërë në gjithë këto vite në emër të decentralizimit. Do të synojmë ta bëjmë këtë gjë edhe me kontributin e opozitës, nëse do të duan të ulen në tryezë me ne, në të kundërt do ta bëjmë edhe të vetëm”, u shpreh Rama.

E pavarësisht fitores së thellë, Rama, siç u shpreh edhe vetë, nuk i është gëzuar në asnjë çast asaj, pasi mbyllja e procesit të votimit e bëri të kuptonte edhe njëherë sesa e rëndë është barra e varfërisë mbi shqiptarët.

“Megjithatë, pjesëmarrja shumë e ulët është për mua një mesazh drithërues, ndaj nuk i jam gëzuar asnjë çast kësaj fitoreje të jashtëzakonshme, sepse që në mbyllje të votimit kuptova edhe njëherë sesa e rëndë është barra e varfërisë mbi qytetarët. Për politikanët mjafton edhe një fitore e tillë për të harruar gjithçka, por unë nuk mund t’i gëzohem kësaj fitoreje, kur mendoj sesa shumë prej jush zgjohen në mëngjes me hijen e zymtë të varfërisë, duke qarë edhe një ditë tjetër të radhës, sesi ikën ajo ditë pa gjetur punë. Ndoshta edhe zemërohen, sepse fëmija në shkollë ka mbetur në duart e një mësuesi të padenjë, apo hidhërohen kur shohin sesa thjesht u gjendet një vend pune dikujt, ndërsa për to mbeten ende zero mundësitë e punësimit. Megjithatë, fakti që shkuat të votonit edhe kaq sa dolët, më inkurajon të bëj edhe më shumë për këtë vend, e aq më tepër pas atyre reformave aq të dhimbshme dhe të vuajtshme për të gjithë ne. Jemi të vendosur që të vijojmë më tej, për të bërë të pamundurën që këtij vendi t’i rikthejmë premisat për zhvillim të mëtejshëm”, tha kryeministri Rama.

Në fund, sigurisht një mirënjohje e pafundme dhe falënderim për të gjithë ata që kontribuan në përcaktimin e drejtimit të ri që duhet dhe do të marrë vendi.

“Jam pafundësisht mirënjohës për votat që keni dhënë për drejtimin e ri të këtij vendi, vendit tonë dhe të fëmijëve tanë. Kushdo që është ndierë krenar për këtë drejtim të ri të përcaktuar me votat tuaja të 21 qershorit, nuk kam gjë tjetër për t’iu thënë veçse shumë mirënjohje dhe faleminderit”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel