KE përshëndet zgjedhjet e 21 qershorit: U monitoruan nga ODIHR, në pah disa sfida

23/06/2015 00:00

Bashkimi Europian përshëndeti zgjedhjet lokale të së dielës. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë, Maja Koçijançiç, tha se vërejtjet e OSBE-ODIHR-it nxjerrin në pah një numër të madh sfidash për vendin.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së: Bashkimi Europian ka ndjekur nga shumë afër përgatitjet dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 21 qershor 2015, ndaj dhe duam të përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen dhe vendosmërinë e tyre në ushtrimin e të drejtës së tyre demokratike për të votuar. Zgjedhjet u monitoruan nga OSBE-ODIHR, të cilët publikuan vëzhgimet e bëra dhe gjetjet paraprake, që nxjerrin në pah një numër sfidash. Ne u bëjmë thirrje dhe inkurajojmë autoritetet kompetente të Shqipërisë, për të vijuar punën me trajtimin e çështjeve të ngritura nga vëzhguesit ndërkombëtarë, duke siguruar ndjekjen e duhur të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të ODIHR-it, për të arritur më tej përmirësimet aty ku është e nevojshme.

TCH: Në Këshillin e fundit të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, Presidenca e BE-së dhe Komisioni u shprehën për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, për hapin e radhës të procesit anëtarësues të vendit. A mendoni se Shqipëria e kaloi testin me këto zgjedhje, për të pasur një rekomandim pozitiv të Komisionit në vjeshtë, për nisjen e negociatave?

Maja Koçijançiç: Ne kemi raportin paraprak të vëzhguesve dhe, sigurisht që presim për kompletimin e rekomandimeve përfundimtare. Kësaj do t’i bashkëngjiten dhe vlerësimet e tjera, që janë duke u përpiluar, sepse, siç e dini, Komisioni e ka nisur tashmë punën për raportin vjetor, që miratohet në tetor. Prandaj, unë do të thoja se, kur të gjitha këto vlerësime do të jenë dorëzuar, Komisioni do t’i analizojë dhe do të japë qëndrimin përfundimtar në raportin, që do të publikohet më 14 tetor.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel