Fjala e plotë e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha

23/06/2015 00:00

Të dashur bashkëqytetarë, Zonja dhe zotërinj! Dua ta nis me një falenderim për të gjithë ju, që morët pjesë në votimet e 21 qershorit. Rezultatet paraprake në shkallë kombëtare tregojnë se, këto zgjedhje janë një hap i madh për Partinë Demokratike.

Pavarësisht prej hartës territoriale, të manipuluar nga dyshja Rama-Meta për interesat e pushtetit të tyre; pavarësisht prej kandidimit të personave me rekorde kriminale; pavarësisht prej përfshirjes së malavitës dhe bandave të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paraushtarake për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë, nën hundën dhe para syve të policisë; pavarësisht prej presioneve të paligjshme ndaj administratës nga kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, si dhe përfshirjes masive të institucioneve shtetërore në fushatën elektorale; pavarësisht prej transferimeve të paligjshme të mijëra zgjedhësve dhe falsifikimit të kartave të identitetit; pavarësisht presionit të ushtruar ndaj medias së lirë; pavarësisht prej gjuhës së paprecedentë kërcënuese dhe antidemokratike e antieuropianiste të krerëve të qeverisë; e pavarësisht prej blerjes masive të votës, fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë…

Partia Demokratike me aleatët kanë hedhur një hap të madh të ringritjes, duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit, duke fituar një numër të madh bashkish, disa prej tyre për herë të parë në dy dekada, e duke ngushtuar diferencën në të tjera bashki anembanë Shqipërisë, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim.

Kjo është një dëshmi e vendosmërisë dhe forcës sonë. Kjo është një fitore për të gjithë demokratët. Me këtë rast, dua të falënderoj nga zemra kandidatët tanë për përfaqësimin dinjitoz dhe mesazhin e madh të shpresës dhe alternativës, që u dhanë qytetarëve shqiptarë!

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, për të gjithë ata që treguan guxim, duke sfiduar këtë mekanizëm presioni dhune dhe blerje votash, duke votuar Partinë Demokratike dhe kandidatët tanë; dua të falënderoj mbështetësit, komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit për punën e palodhur, të cilët bënë më të mirën, që zëri i qytetarëve të dëgjohej, pavarësisht qindra incidenteve!

Dua t’iu drejtoj një thirrje numëruesve dhe komisionerëve: Nga ana tjetër, me gjithë investimin e tyre total, mjetet dhe format e presionit të hapur dhe të fshehtë të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, pazareve që shtuan vagonët e babëzisë në trenin e qeverisë, koalicioni i tyre ka pësuar një braktisje të madhe nga votuesit, çka përbën refuzimin, nga njëra anë të hartës territoriale Rama-Meta, të bërë pa konsultim me qytetarët dhe kundër interesave të tyre; dhe nga ana tjetër një mesazh të qartë e të prerë kundër keqqeverisjses, varfërisë, papunësisë, pasigurisë dhe padrejtësisë.

Strukturat e Partisë Demokratike kanë dokumentuar në kohë reale, me qindra raste të shkeljeve flagrante të ligjit dhe standardeve ligjore dhe i kanë raportuar ato para institucioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Ne zgjodhëm, që këtë problematikë të mos e bënim publike gjatë ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ndikonim negativisht në pjesëmarrjen në votime, por beteja jonë nuk do të ndalet, deri sa dhunuesit e standardeve të këtyre zgjedhjeve të japin llogari para ligjit.

Unë dhe Partia Demokratike kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për procesin, veçanërisht për blerjen e votës dhe kërcënimin e të punësuarve për votën,  gjë që ka ndikuar në rezultatin e një numri jo të vogël bashkish.

Për fat të keq, këto zgjedhje janë një kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë. Misioni i ODIHR-it, Këshillit i Europës, Ambasada e SHBA-ve dhe përfaqësia e BE-së folën qartë për shqetësimet e mëdha.

Pretendimet e Partisë Demokratike u vërtetuan. Qeveria, me arrogancë injoroi kërkesën tonë dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve, për të mos kandiduar persona me rekorde kriminale. Kjo qeveri, edhe një herë tregoi se nuk është e interesuar për të përmbushur detyrimet e veta para shqiptarëve.

Unë dua të garantoj sot të gjithë qytetarët, që na besuan me votë, por edhe ata qindra mijëra, që për arsye të presionit, të frikës apo edhe të kërcënimeve për bukën e gojës nuk votuan, se ne do të vazhdojmë betejën tonë për t’i kthyer Shqipërisë shpresën, zhvillimin, punën dhe dinjitetin.

Beteja jonë kundër intimidimit dhe presionit ndaj zgjedhësve, kundër blerjes së votave dhe pushtetit me paratë e korrupsionit dhe krimit, kundër kandidatëve dhe të zgjedhurve me rekorde kriminale do të vazhdojë.

Beteja jonë për t’u hequr lakun nga fyti qindra e mijëra familjeve shqiptare, që mezi mbyllin muajin dhe për të ndalur spiralen e rënies ekonomike, shpirtërore dhe të gjithanshme, beteja jonë për taksa të ulëta, çmime të ulëta, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe të ardhura më të larta, ka marrë sot një mbështetje të madhe kombëtare dhe kjo na mbush me energji të reja.

Partia Demokratike dhe unë do të jemi në krahun tuaj, që së bashku me ju, nga ky hap i madh të bëjmë hapin vendimtar drejt të ardhmes sonë të re. Faleminderit!

Top Channel