Tabaku: Do analizojmë rezultatin. Projekti i nisur, edhe për 2017-n

23/06/2015 00:00

Partia Demokratike do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve të 21 Qershorit, dhe pavarësisht këtij rezultati, projekti i nisur do të shtrihet edhe për zgjedhjet e 2017-ës.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku konfirmoi ato që deklaroi më herët Lulzim Basha se PD regjistroi një ringritje në këto zgjedhje.

“Ka kohë dhe vend për të bërë një analizë, por rezultatet surprizë në disa bashki, tregojnë që strategjia e mazhorancës për të bërë që në ato bashki të djathta të bëheshin të majta dhe ato që ishin të majta të bëheshin të majta, nuk funksionoi. Sot ndodhemi në një realitet ku njerëzit kanë refuzuar kryeministrin dhe mazhorancën. PD do bëjë një analizë të asaj që shkoi mirë dhe asaj që shkoi keq dhe për të rinisur punën për 2017. Ky projekt i nisur do të vazhdojë për 2017. Ky projekt i nisur dha rezultatet e para pozitive me gjithë ata që ndodhi në këtë proces zgjedhor. Duhet akoma shumë punë. Kjo është një rrugë shumë e mirë për të vazhduar për 2017”, tha Tabaku.

Më tej deputetja Tabaku deklaroi se në krahasim me 2013-s tha se 200 mijë persona kanë refuzuar të shkojnë të votojnë aleancën qeverisëse.

Tabaku tha se kryeministri Rama shfrytëzoi deklaratën e parë për procesin zgjedhor, për të justifikuar zgjedhjet e mira dhe për të kundërshtuar deklaratat e ndërkombëtarëve, raportin e OSBE/ODIHR.

Sipas opozitës, me këto zgjedhje Shqipëria humbi mundësinë e dekriminalizimit.

“Shqipëria humbi mundësinë e dekriminalizimit dhe këtë e thotë edhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR, që flet për herë të parë edhe për blerje të votës.

Top Channel