Luan Rama: LSI, forcë e parë në disa bashki të vendit; Urim të veçantë Erion Veliajt

23/06/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një dalje për mediet gjatë pasdites së të martës, ka bërë të ditura disa shifra suksesi, siç i quajti ai, të Lëvizjes Socialiste për Integrim sa i përket numërimit të votave për këshillat bashkiakë në mbarë vendin.

“Në vazhdën e komunikimit tonë të përhershëm, më lejoni që t’iu bëj me dije se gjatë gjithë ditës së sotme, në të gjitha QV-të ku ka vazhduar procesi i numërimit, ky ka qenë korrekt, në frymë bashkëpunuese, pa asnjë shqetësim, çka dëshmon edhe një tjetër vlerë të shtuar të cilësisë së zgjedhjeve të 21 qershorit. Në tërësinë e vetë, ritmi është i kënaqshëm dhe, ndërsa është mbyllur votimi në një pjesë thuajse të plotë të bashkive në vend, po kështu rezulton të ketë përfunduar numërimi edhe për këshillat bashkiakë në disa rrethe. Ndër të cilat, në votimin për këshillin bashkiak të Skraparit, LSI është në vend të parë me 57,2% të votave, numërim ky i përfunduar. Po kështu ka përfunduar votimi për këshillin bashkiak të Delvinës, ku LSI është gjithashtu në vend të parë, sikurse edhe në Bashkinë e Dropullit, të Mirditës dhe atë të Klosit. Ndërkaq, në një sërë bashkish të tjera në vend, ku vazhdon numërimi pasi është në proces, LSI rezulton të jetë forcë e parë në Pukë, Kurbin, Bulqizë, Rrogozhinë, Elbasan, Pogradec, Përmet, Këlcyrë dhe në Memaliaj. Është për t’u evidentuar edhe një fakt tjetër se në një pjesë të madhe të numërimit në ish-njësitë vendore të Bashkisë së Tiranës, LSI ka rezultate të shkëlqyera, me një rritje prej 50% ose më shumë krahasuar me zgjedhjet e 2011-s apo të 2013-s. Këto rezultate dhe të tjera që vijojnë të vijnë pranë shtabit elektoral të LSI, konfirmojnë edhe njëherë rritjen e vazhdueshme të besimit, të mbështetjes dhe të përkrahjes së qytetarëve shqiptarë te LSI, për alternativën e saj dhe për gjithë performancën e saj politike, qeverisëse dhe qytetare”, tha Luan Rama.

Ndryshe nga dalja e parë e paradites së të martës, ku LSI-ja, edhe pse ishte thuajse e zyrtarizuar fitorja e Erion Veliajt në Tiranë nuk e uroi kandidatin e majtë, në këtë dalje, Luan Rama i ka shprehur edhe urimin e veçantë Veliajt, me shpresën, besimin dhe bindjen – sipas tij, – që në krye të Bashkisë së Tiranës do të përmbushë premtimet, e do të shkojë edhe përtej tyre.

“Në përfundim të këtij komunikimi për ditën e sotme, më lejoni që në emër të LSI-së t’i bëj një urim të veçantë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, me shpresën, besimin dhe bindjen që në krye të kësaj bashkie, ai jo vetëm do të përmbushë të gjitha premtimet e bëra, por realisht do ta kthejë këtë bashki në një qendër të madhe të shërbimit ndaj qytetarëve, pavarësisht se kë kanë votuar”, tha Luan Rama, sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.

Më herët, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, theksoi luajalitetin e forcës që ai përfaqëson ndaj marrëveshjeve dhe kontratave të bëra me partnerët.
 
“Këto zgjedhje dhe roli, qëndrimi, shembulli, modeli i votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim konfirmojnë edhe njëherë besnikërinë dhe korrektesën e LSI-së, e cila iu qëndron e iu shërben me besnikëri marrëveshjeve dhe kontratave të bëra me partnerët. Të dhënat e para që vijnë nga numërimi i votave për subjektet politike dëshmojnë rritjen e konsoliduar dhe të veçantë të votave në mbështetje të LSI-së. LSI ka fituar si asnjëherë tjetër më parë në 9 bashki.

Ndërkohë, më lejoni të qëndroj pak edhe në faktin apo rezultatin e atyre bashkive, ku nuk rezultojnë fitues kandidatët e koalicionit. Jemi të duruar të presim me qetësi, natyrisht edhe me shumë vëmendje, rezultatin që do të shpallet, por më pas ne do të bëjmë analizat e detajuara për të nxjerrë përgjegjësitë tona dhe të gjithë aktorëve në garë.

Por, pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në Bashkinë e Pogradecit, i cili ia kalon edhe atij që njihet në mentalitetin apo psikologjinë popullore, pazarit të Roskovecit. Do të ndjekim me shumë seriozitet dhe vazhdimësi deri në fund të gjitha hapat ligjore dhe rrugën ligjore për të lexuar dhe certifikuar ashtu siç i takon, me vërtetësi, rezultatin edhe në Bashkinë e Vorës”, kishte thënë më herët Luan Rama.

Top Channel