Fier, përleshje për një votë; dhunohet numëruesi i PS-së

24/06/2015 00:00

Një numërues i Partisë Socialiste është dhunuar barbarisht në Qendrën e Numërimit (KZAZ 57) të votave në Fier.

Ngjarja ndodhi, kur një votë u shpall e pavlefshme nga numëruesi, por hasi në kundërshtimin verbal të një grupi personash, ku ndodhej shtetasi Fatmir Kajolli, kandidat për këshilltar bashkiak nga Partia Republikane dhe të afërmit e tij, një prej të cilëve kandidat për këshilltar bashkiak nga Partia Lëvizja e Legalitetit.

Në momentin që numëruesi është afruar drejt tyre me fletën e votimit në dorë ka ndodhur edhe dhuna, që ka vijuar me shkatërrimin e të gjithë sistemit të numërimit të votave.

Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mbajtëset e hekurit, e më pas grupi i personave të përfshirë në dhunën e ndodhur është ndaluar nga policia, e cila mbërriti pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes, me forca të shtuara, e lajmëruar nga komisionerët.

Numërimi i votave në këtë qendër është ndërprerë dhe qendra është marrë në ruajtje nga ana e Policisë së Shtetit.

I lënduari, një 30-vjeçar, është shoqëruar për në spitalin e qytetit, ku pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar. Mjekët thanë se i riu kishte plagë në kokë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel