Policia e Fierit shpall në kërkim autorët e dhunës ndaj numëruesit të PS-së

24/06/2015 00:00

Pas ngjarjes së rëndë të shënuar në KZAZ-në 57 të qytetit të Fierit, ku si pasojë e një vote të deklaruar si të pavlefshme nga një numërues i Partisë Socialiste, reagoi një grup i kryesuar nga Fatmir Kajolli, kandidat për këshilltar bashkiak nga PR, vjen edhe procedimi penal dhe shpallja në kërkim e këtij të fundit.

Specialistë të krimeve në Komisariatin e Policisë së Fierit kanë njoftuar menjëherë procedimin penal dhe shpalljen në kërkim të 50-vjeçarit Fatmir Kajolli, banues në lagjen “Mbrostar Ferko” të të njëjtit qytet, ashtu sikurse edhe dy djemve të tij, Alban dhe Florim Kajolli, respektivisht 22 dhe 23 vjeç.

Procedimi penal vjen për pasojë e sulmit të kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaj numëruesit të subjektit politik PS, Roland Bylyshi, 34 vjeç, banor i fshatit Levan të Fierit, sulm që ka ardhur për shkak të detyrës së këtij të fundit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 e 35 pas mesnate, në shkollën e mesme “Janaq Kilica”, në lagjen “Kastriot” të qytetit.

Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, për veprën penale “shkatërrim i pronës”, “kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, e kryer në bashkëpunim”, të gjitha të parashikuara nga Kodi Penal.

Top Channel