Vapa vrasëse në Pakistan, mbi 800 viktima nga të nxehtit

24/06/2015 00:00

Bilanci i viktimave të të nxehtit në Pakistan është dyfishuar brenda dy ditësh. Numri i i vdekjeve që i faturohen vapës mbytëse në provincën jugore të Sindhit ka mbërritur në mbi 800, 780 prej të cilëve janë regjistruar vetëm në qytetin kryesor Karachi.

Të martën, termometri shënoi në këtë rajon 45 gradë Celcius dhe, në mesin e kritikave se zyrtarët nuk kanë bërë sa duhet për menaxhimin e situatës e zbutjen e krizës, kryeministri Nawaz Sharif shpalli gjendjen e jashtëzakonshme e mobilizoi ushtrinë për të ndihmuar në ngritjen e qendrave të mbrojtjes nga i nxehti.

Një pjesë e mirë e viktimave janë të moshuar, që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Banorët e zonës janë të zemëruar me autoritetet për shkak se kufizimet e energjisë elektrike u kanë reduktuar mundësinë e përdorimit të kondicionerëve dhe ventilatorëve.

Situata vështirësohet edhe më shumë në këtë kohë, për shkak të mospërdorimit të ujit të pijshëm gjatë orëve të ditës, për shkak të Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Raporte në media tregojnë se, me mijëra vetë janë duke marrë trajtim mjekësor, e disa prej pacientëve janë në gjendje të rëndë. I nxehti përvëlues nuk është diçka e pazakontë për Pakistanin gjatë muajve të verës, por shkurtimet e zgjatura të energjisë elektrike e kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen këtë vit.

Top Channel