Marrëveshja Kosovë-Serbi, Tahiri: Progres mbi të gjitha çështjet e diskutuara

24/06/2015 00:00

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë ia dolën të mos kthehen tërësisht duarbosh me nënshkrimin e Memorandumit për njohjen reciproke të sigurimit të automjeteve, që qarkullojnë mes dy vendeve, por pa konkluduar mbi 4 çështjet e pazgjidhura të tryezës së raundit të 26-të të Dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

E firmosur nga ekipet teknike negociatore, me bekimin e kryeministrave respektivë dhe të sekretarit të përgjithshëm të organizatës vepruese për mbrojtjen e viktimave të trafikut rrugor ndërkufitar, marrëveshja pritet të jetë efektive brenda 30 ditësh.

“Kjo marrëveshje është e mirë për shtetin tonë, edhe sepse e afron Byronë e Sigurimeve të Kosovës me Këshillin e Byrove, me qëllim që të jetë anëtare e vendeve të Kartës së Gjelbër, çfarë do të zgjidhte përfundimisht lëvizjen për qytetarët e Kosovës, që të mund të udhëtonin me automjet kudo nëpër 31 vendet anëtare të Këshillit të Byrove. Në fakt, javën e fundit kemi folur mbi disa çështje, si telekomi, energjia, asociacioni i komunave dhe heqja e barrikadës nga ura e Mitrovicës, si dhe sigurimi i makinave mes dy shteteve. Nuk do të ndaj më shumë detaje për çështjet e tjera të diskutimit në vazhdim, sepse do të jetë zyra e shtypit e BE-së që do t’u japë më shumë informacion mbi këto çështje”, tha Edita Tahiri, kryenegociatore e ekipit të Prishtinës.

Në deklaratën për shtyp të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, shpërndarë menjëherë pas takimit tripalësh, thuhet se “është bërë progres i mirë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në këto 4 çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt në ditët e ardhshme për të finalizuar marrëveshjet”, shprehet Federica Mogherini.

Kryeministri serb konfirmoi se do të takohej brenda së mërkurës me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa, i cili iu largua lagjes europiane të Brukselit, ndërsa Aleksandar Vuçiç komentonte jo vetëm mbi raundin e radhës së Dialogut, por edhe për Srebrenicën.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel