Një punonjëse britanike e emigracionit, e cila kishte rënë në dashuri me një emigrant shqiptar, ndërkohë që ai ndodhej në kampin e refugjatëve ku ajo punonte, ka humbur vendin e punës dhe i ka shpëtuar për mrekulli burgut, pasi kishte tentuar ta rifusë ilegalisht shqiptarin e kthyer në Francë, duke e fshehur në bagazhin e makinës së saj.

Sipas shtypit britanik, oficerja e emigracionit Kelly Henderson, 39-vjeçare, ra në dashuri me emigrantin shqiptar, Fatos Demirneli, i së njëjtës moshë, teksa ai ndodhej në pritje të riatdhesimit në kampin e refugjatëve, në Hamondsworth, në perëndim të Londrës, një lagje periferike pranë Aeroportit të Heathrow.

Në gusht të vitit të kaluar, britanikja shkon në Francë, ku ishte dërguar shqiptari prej autoriteteve britanike dhe, për shkak të ndienjës për të, tenton ta rifusë ilegalisht emigrantin shqiptar në Britani, duke e fshehur në bagazhin e makinës së saj.

Ishin autoritetet e emigracionit në hyrje të tunelit nëndetar, që lidh Francën dhe Anglinë, që gjetën pas kontrollit shqiptarin e fshehur në makinën e koleges së tyre.

Kjo i kushtoi vendin e punës oficeres së emigracionit, për shkak të konfliktit të interesit dhe kontratës së punës, ndërkohë që një veprim i tillë parashikon edhe dënim me burg. Por, ka qenë zemërgjerësia e gjykatësit britanik, që ka ndryshuar dënimin për oficeren britanike, duke ia pezulluar dënimin prej 18 muajsh heqje lirie dhe duke e ndëshkuar me 250 orë punë në komunitet.

Oficerja e emigracionit, e cila kishte edhe një vajzë 14-vjeçare, tha se ende është e dashuruar me shqiptarin, tashmë të rikthyer në Shqipëri, dhe po tenton që ta sjellë atë në Britani në mënyrë të ligjshme.

Ndryshe nga ky rast sentimental, mjaft unik, rreth 100 britanikë burgosen çdo vit, pasi kapen nga autoritetet e emigracionit në përpjekje për të futur në Britani emigrantë ilegalë me makinat e tyre private.

Makinat dhe furgonët privatë merren me qira nga trafikantët për të trafikuar emigrantë ilegalë nga Franca për në Britani, pasi besohet se këto makina kanë më pak gjasa të kontrollohen nga autoritetet portuale të emigracionit, sipas një reportazhi televiziv të BBC-së, të transmetuar të martën në mbrëmje.

Top Channel