USAID, memorandum bashkëpunimi për modernizimin e ujësjellës-kanalizimeve

24/06/2015 00:00

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, USAID dhe Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB) nënshkruan këtë të mërkurë në Tiranë, Memorandumin e Mirëkuptimit për të mbështetur krijimin e një Programi Certifikimi bazuar në testim për menaxherët operacionalë në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime të Shqipërisë.

Ky Program do të institucionalizohet nga qeveria shqiptare dhe do t’u kërkojë të gjitha shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të punësojnë operatorë menaxherialë të certifikuar. Ndërkaq, USAID dhe SHUKALB do të ndërrmarrin trajnime për të përgatitur kandidatët për testet e certifikimit.

Për ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ky memorandum ka rëndësi të veçantë si një hap shumë i rëndësishëm në reformën e thellë që ujësjellës-kanalizimet kanë filluar në Shqipëri.

“Qëllimi është të ecim drejt një performance më të mirë, me objektivin final të një shërbimi më cilësor dhe më të përhapur gjeografikisht, pra më pranë qytetarëve për këtë shërbim jetik, furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujit të përdorur”, tha Haxhinasto.

Shumë e rëndësishme – shtoi ministri – është që realizimi i këtij projekti të ecë paralelisht me gjitha hapat e tjera, të identifikuar dhe që po ndërrmenrren nga qeveria, së pari, për ta reformuar sipas ndarjes së re administrative territoriale, e së dyti për të riorganizuar ndërrmarjet e UKT mbi bazën e performancës së mirëfilltë.

Për drejtoreshën e Programeve të USAID, Clare Masson, certifikimi i bazuar në testim konsiderohet i rëndësishëm për menaxhimin e qëndrueshëm dhe profesional të sistemeve ujësjellës kanalizime. “USAID do të mbështesë qeverinë shqiptare në përpjekjet për të modernizuar sektorin e ujit në Shqipëri”, shtoi ajo.

Ndërsa drejtori Ekzekutiv i SHUKALB, Giantris theksoi se, ngritja e kapaciteteve të anëtarëve tanë dhe palëve të interesuara për sektorin e ujit është një nga misionet tona kryesore. “Ne mund të themi me siguri, se në përfundim të këtij projekti, Shqipëria do të ketë një program trajnimi plotësisht të dokumentuar dhe profesional, i cili do të jetë i veçantë në Ballkan dhe më tej në rajon”, tha Giantris.

Kurset e para të trajnimit do të fillojnë në fillim të vitit 2016.

Top Channel