Kosovë, 25 vite nga lëvizja e pajtimit të gjaqeve

24/06/2015 00:00

Nën patronazhin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, është organizuar një akademi solemne me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Lëvizjes Mbarëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve.

Kjo lëvizje, me në krye Anton Çetën, në vitin 1990 arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare, dhe si e tillë kishte mision mobilizimin e shqiptarëve për rezistencë çlirimtare.

Marrë parasysh këtë mision, shumë gjaqe u falën në emër të kombit dhe më 1 maj 1990, në vendin e quajtur “Varret e Llukës” në komunën e Deçanit, u mblodhën më shumë se gjysmë milion shqiptarë në përkrahje të lëvizjes, e u falën shumë gjaqe.

Presidentja Atifete Jahjaga vlerësoi këtë lëvizje, si institucion fisnik i kohës kur nuk kishim shtet, dhe si moment i rëndësishëm në rrugën e krijimit të shtetit.

“Kjo lëvizje ishte si një pararojë e ndërgjegjes kombëtare për liri, për pavarësi dhe demokraci. Si një bashkim, si një pajtim, si një parakusht në organizimin dhe në unitetin përpara vendimeve të mëdha, që duhet të ndërmerrnim për të dalë fitues përpara sfidave të shekullit, që na prisnin si komb dhe si shoqëri dhe që kishin të bëjnë me fatin e ekzistencës sonë”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Veprimtarja e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, Mirvete Dreshaj, tha se vëllavrasja ishte në të mirë të armikut, ndaj me faljen e gjakut synohej unifikimi i shqiptarëve.

“Përballja në këtë kohë me ish-Jugosllavinë kërkonte unifikimin e popullit tonë, prandaj pajtimi ishte mision. Në të vërtetë pajtimi ishte mision për mobilizimin e plotë, total të të gjitha strukturave politike dhe intelektuale, në ato përmasa që nuk ishte arritur të bëhej në kthesat e mëdha historike të viteve 1968 apo 1981”, tha Mirvete Dreshaj, veprimtare e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve.

Ndërsa ata që falën gjakun, edhe pas 25 vitesh kujtojnë me emocion atë moment.

“E kemi pasur të vështirë, edhe tani e kam të vështirë të them ‘i qoftë falë gjaku i djalit, babës, vëllait etj’. Ne këtë gjak ia falëm rinisë, ia falëm popullit”, tha Mirian Dema, përfaqësues i familjarëve që falën gjakun.

Rol të madh në këtë lëvizje patën edhe udhëheqësit fetarë, si Don Lush Gjergji dhe imami Xhavit Kryeziu, të cilët rikujtuan se, në atë vit festuan së bashku me qindra qytetarë Pashkët dhe festën e Bajramit.

Aksioni për pajtimin e gjaqeve filloi më 2 shkurt 1990, në Lumbardh të Deçanit, nga studentë e ish-të burgosur politikë dhe u përkrah nga akademikë e intelektualë, si Mark Krasniqi, Zekrija Cana, e të tjerë.

Presidentja Atifete Jahjaga dekoroi lëvizjen për pajtimin e gjaqeve me dekoratën presidenciale të pajtimit “Anton Çeta”.

Top Channel