Lazarat, lokalizohet “grupi i zjarrit”. Në operacion, edhe helikopterët e ushtrisë

24/06/2015 00:00

Policia e Shtetit ka lokalizuar vendndodhjen e grupit të armatosur, që besohet se është përgjegjës për zjarrin e hapur në drejtim të forcave RENEA në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë.

Sipas policisë, grupi i armatosur ndodhet në vendin e quajtur “ish-Pularia”.

Zona është e rrethuar nga forca të shumta të policisë dhe forca të FNSH-së. Ndërkohë, është thirrur nga ajri ndihma e dy helikopterëve të ushtrisë, për të transportuar nga ajri drejt malit të Sopotit efektivët e forcave RENEA.

Policia thotë se ka gati një plan operacional për arrestimin dhe neutralizimin e grupit të armatosur.

Më herët, uniformat blu gjetën një mjet tip “Benz” të bardhë. Brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë, një automatik kallashnikov, një granatë, një kuti me fishekë, një këmbë mitralozi dhe qese farmaceutike me lëndë narkotike të lloji heroinë.

Ndërkaq është arrestuar drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet XH.M.

Korrespondentja e Top Channel në Gjirokastër, Kristina Fidhi njofton se policia mban të bllokuara të gjitha hyrjet në fshat dhe po ushtron kontrolle të imtësishme të automjeteve.

Uniformat blu kanë një listë me persona, disa prej të cilëve janë shoqëruar, por nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nëse mes të shoqëruarve është ndonjë person i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.

Besohet se grupi i zjarrit përbëhet nga 10-15 persona.

Ish-kreu i komunës, Dasho Aliko thotë se situata është e paqartë. Ai deklaroi se banorët e fshatit nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh, ndërkohë që herëpashere dëgjohen të shtëna.

Top Channel