Orët kritike të Greqisë. Raund i ri bisedimesh me kreditorët për marrëveshjen

24/06/2015 00:00

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, përgatitet për një raund të ri bisedimesh me kreditorët ndërkombëtarë, në vazhdën e përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje urgjente mbi borxhin e Athinës.

Deri në fund të qershorit, Greqia duhet t’i paguajë 1,6 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar, por nuk ka asnjë mundësi ta shlyejë huanë, nëse nuk zhbollohen fondet e dorëzanisë.

Propozimet e reja për reforma u mirëpritën nga udhëheqësit e BE-së, megjithatë pengesat nuk janë larguar që të gjitha. Apeli thuajse dramatik i Tsiprasit për shoqatat greke të biznesit nënkupton sakrifica, që do t’i lejojnë atij të vulosë një marrëveshje e t’i japë fund “ekuilibrit të tmerrit”.

Por, sipërmarrësit paralajmërojnë se planet për rritje taksash do të kenë ndikim negativ ndaj kompanive, punësimit dhe ekonomisë në tërësi. Propozimet e fundit për reforma të qeverisë greke fokusohen te shkurtimet, siç është rasti i shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe te rritja e taksave dhe e kontributeve për pensionet.

Kështu, tatim-fitimi i sipërmarrjeve pritet të shtohet nga 26 në 29 për qind; fitimet vjetore prej më shumë se 500 milionë euro, qeveria në Athinë do t’i taksojë me një taksë të veçantë prej 12 për qind, ndërsa TVSH-ja për kafenetë, restorantet dhe hotelet pritet të rritet në 23 për qind.

Edhe pse ujdia me huadhënësit është e shumëdëshiruar, “ky shtim i taksave do ta pengojë shumë ekonominë”, thotë Kostas Michalos, president i Federatës së Dhomave të Tregtisë greke. Në rrezik, sipas tij, janë sidomos bizneset e vogla, një pjesë e të cilave mund të shkojnë drejt falimentimit.

Këtë rrugë e kanë marrë deri tani 600 biznese greke. Sipërmarrësit mendojnë se, në vend të masave të parashikuara, ekzekutivi duhet t’i bindë kreditorët se lufta kundër ekonomisë informale dhe përmirësimi i menaxhimit të sistemit të mbledhjes së taksave do të sjellin më shumë parà në arkat e shtetit.

Top Channel