Janar-maj, bien të ardhurat nga taksat; 6.6 miliardë lekë më pak se parashikimi

24/06/2015 00:00

Financat e vendit kanë hyrë ne një tjetër periudhë të vështirë, teksa të ardhurat nga taksat vazhdojnë të devijojnë nga plani buxhetor. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, për 5 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale në buxhet ishin 6.6 miliardë lekë më të ulëta se parashikimi i periudhës.

Por, rënia është edhe më e madhe se kaq, pasi një pjesë e saj është zbutur nga shitja e licencës 4G dhe tejkalimi i të ardhurave jo-tatimore. Rrjedhimisht, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ato që tregojnë realisht performancën fiskale të qeverisë, janë 11 miliardë lekë më pak se plani i periudhës.

Kjo ecuri u dedikohet rezultateve negative nga të dy institucionet e fiskut, si Doganat ashtu dhe Tatimet, të cilat kanë mbledhur respektivisht 7.5 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë më pak se plani. Rënia e fortë e të ardhurave ndaj planit e vendos administratën fiskale në një pozicion të vështirë, që nuk justifikon dot as rritjen e taksave.

Në fillim të vitit, kur prezantoi paketën e re fiskale, qeveria e rriti barrën e taksave mbi qytetarët dhe biznesin me 18 miliardë lekë për vitin 2015. Por, për pesëmujorin, të dy institucionet kanë mbledhur po aq të ardhura sa një vit më parë, edhe pse taksat dhe çmimet janë rritur dhe prodhimi kombëtar është zgjeruar.

Sipas zërave, rënien më të madhe e ka akciza me 4.5 miliardë lekë, e ndjekur nga tatimi mbi të ardhurat personale me 3.2 miliardë ose 22 për qind më pak se plani i periudhës.

Këto ditë ka mbërritur në Tiranë misioni i Fondit Monetar, i cili është duke analizuar treguesit dhe ecurinë e ekonomisë. Burime i thanë Top Channel se, rënia e të ardhurave ka qenë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve, që ekspertët e FMN-së kanë pasur me autoritetet.

Pak kohë më parë, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Reinke, e konsideroi si zhgënjyese ecurinë e të ardhurave, duke i kërkuar qeverisë të identifikojë arsyet e rrëshqitjes fiskale për të mos vënë në rrezik buxhetin.

Top Channel