Azerbajxhani, i interesuar për të pasur një ekip në Formulën 1

24/06/2015 00:00

Qeveria e Azerbajxhanit do të mbështesë investitorët që janë të interesuar për të blerë një ekip në Formulën 1. Lajmin e bëri të ditur ministri i Sportit të Azerbajxhanit, Azad Rahimov.

“Do të ishte shumë bukur për vendin tonë, nëse do të ishim pjesë e garave, por nuk do ta blejë qeveria ekipin. Gjithçka do të jetë në dorë të investitorëve privatë. Ne do të mbështesim këdo”, tha Rahimov gjatë Lojërave Europiane që po zhvillohen në Baku.

Azerbajxhani do të mirëpresë një garë të Formulës 1 në vitin 2016 për herë të parë në histori. Kohët e fundit, ky shtet ka bërë investime të jashtëzakonshme në sport.

Aktualisht, në Azerbajxhan po zhvillohen Lojërat e para Europiane; në vitin 2016 do të zhvillohet një kompeticion që do të grumbullojë atletë nga shtete myslimane, dhe në vitin 2020 do të mirëpresë disa ndeshje të Kampionatit Europian të futbollit.

Top Channel