Paloka: PS, dhunë komisionerëve në Malësinë e Madhe

24/06/2015 00:00

Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka në një deklaratë për shtyp ka akuzuar mazhorancën për dhunë ndaj komisionerëve të djathtë në Malësinë e Madhe.

“Dënojmë dhunën e përfaqësuesve të PS-së në KZAZ-në e Malësisë së Madhe. Ka qenë Paulin Stërkaj që ka goditur me qytën e armës kreun e PD-së në këtë zonë”, ka thënë Paloka.

Më tej ai ka akuzuar edhe policinë, e cila sipas tij, “është renditur në anën e personave që shkelën ligjin”.

Deklarata e plotë e deputetit Paloka:

“Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të përfaqësuesve të qeverisë në KZAZ-në numër 1 në Malësi të Madhe, ku deputeti Sterkaj dhe banda e tij kanë ushtruar dhunë dhe presion ndaj numëruesve e vëzhguesve, dhe ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në përpjekje për të ndikuar rezultatin atje.

Kulmi ka arritur mbrëmë vonë kur deputeti Sterkaj ka nxjerrë armën dhe, siç e akuzojnë kandidati i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike atje, ka goditur me qytën e saj pikërisht kreun e degës Pjerin Spathari, i ndihmuar nga banditët e tij.

Një akt e një ngjarje e rëndë që ka minuar zgjedhjet në këtë zonë, nisur nga fakti se banda e qeverisë dhe e deputetit Sterkaj gëzon imunitet dhe bën ç’të dojë, me bekimin e Policisë.

Në fakt, më e rënda është se vetë policia, në vend se të ndalojë shkaktarët e kësaj dhune, është rreshtuar në anën e banditëve e personave që shkelin ligjin.

Prokuroria duhet urgjentisht në nisë hetimet e të vëjë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeve. Ne e kemi dokumentuar ngjarjen dhe do ta paraqesim para vëzhguesve ndërkombëtarë.

Partia Demokratike do të ruajë çdo votë të qytetarëve, ne jemi të vendosur për këtë, ashtu siç paralajmërojmë këdo që tenton të prekë vullnetin e qytetarëve, që do të përgjigjet para ligjit deri në fund”.

Top Channel