Gjykata Speciale, Veseli nuk arrin t’i bindë pjesëtarët e ish-UÇK-së

24/06/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ka arritur t’i bindë përfaqësuesit e shoqatave të luftës në Kosovë të pranojnë krijimin e Gjykatës Speciale.

Ai u takua të mërkurën nga përfaqësuesit e veteranëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, por pas takimit dy-orësh palët rezultuan me qëndrime të ndryshme.

“Ne duhet të jemi bashkë çdo herë. Do ta votojmë Gjykatën Speciale për t’u thënë jo mjegullave ndaj shtetësisë, atyre që i duan të keqen Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të dëshmuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit, as trafikim organesh apo keqtrajtim të civilëve, por se luftën e ka shkaktuar vetëm një faktor: Serbia e Millosheviçit”, ka deklaruar Veseli.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Smajl Elezi, duke kundërshtuar deklaratën e kryeparlamentarit Veseli tha se, pjesëmarrësit në luftën e UÇK-së janë të bindur që lufta ka qenë e pastër.

“Jemi të bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka nevojë të pastrohet nga askush. Pa marrë parasysh qëndrimin e politikës, ne si organizatë jemi kundër gjykatës që tenton të vijë në Kosovë dhe të thotë se po përpiqet të pastrojë luftën e UÇK-së”, deklaroi Elezi.

Përfaqësuesit e shoqatave të luftës ende nuk kanë vendosur për format e reagimit ndaj krijimit të Gjykatës Speciale. “Ne do t’ju njoftojmë me qëndrimet dhe aktivitetet tona, por sot mund të flasim vetëm rreth vizitës së kryetarit të Parlamentit”, deklaroi Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Dëshmorëve të UÇK-së.

Amandamentet për ndryshimet kushtetutese, që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, do të hidhen në votim të premten e kësaj jave.

Top Channel