Bisedimet Athinë–Shkup; Popovski dhe Kotzias diskutojnë mbi çështjen e pazgjidhur të emrit

24/06/2015 00:00

Problemi 20-vjeçar mes Shkupit dhe Athinës rreth emrit kushtetues të Maqedonisë nuk mund të zgjidhet pa krijuar klimë mirëbesimi mes të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Popovski, pas takimit me kolegun e tij grek Nikos Kotzias, tha se zvarritja e procesit për tejkalimin e këtij problemi ka ndikuar në përkeqësimin e raporteve midis dy vendeve.

“Çështja e emrit, dhe vitet që kanë kaluar pa gjetur një zgjidhje, kanë ndikuar në përkeqësimin e raporteve mes të dy vendeve, që jashtë këtij problemi kanë shumë interesa të përbashkëta. Sot nuk kemi zgjidhje për këtë problem, por kemi qasje që në të ardhmen na mundëson të krijojmë klimë për afrim mes dy vendeve. Problemi më i madh është mosbesimi, sidomos në rrafshin politik, dhe mungesa e besimit pamundëson zgjidhjen e një problemi kaq të komplikuar që prek emocionet e qytetarëve në të dy vendet”, është shprehur Nikolla Popovski.

Për të rritur mirëbesimin mes tyre, dy shtetet kanë paralajmëruar se do të zbatojnë një plan për vendosjen e bashkëpunimit në 11 fusha, siç është sfera e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, ekonomisë, energjetikës, etj.

Shefi i diplomacisë greke Kotzias, tha se Ahtina dëshiron që Maqedonia të lëvizë me hapa më të shpejtë drejt BE-së dhe beson se zgjidhja e çështjes së emrit është e mundur.

“Shpresoj se do të kemi mundësi që në të ardhmen të realizojmë edhe takime të tjera, ku do të mund të bisedonim mes tjerash edhe për çështjen e emrit. Besoj se edhe Nikolla Popovski, por edhe unë jemi të vendosur për ta gjetur zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias.

Vizita e ministrit Kotzias në Shkup është e para e një shefi të diplomacisë greke pas më tepër se një dekadë. Diplomati grek është pritur në Maqedoni nga kreu më i lartë shtetëror dhe ka takuar edhe liderët politikë shqiptarë. Sipas disa analistëve, kjo vizitë ngjallë optimizëm për normalizimin e raporteve greko-maqedonase.

Top Channel