NATO, Stoltenberg: Nuk bëjmë garë armatimesh me Rusinë, janë hapa mbrojtës

24/06/2015 00:00

Kreu i aleancës atlantiko-veriore ka bërë të ditur këtë të mërkurë se NATO nuk do të detyrohet të hyjë në një tjetër garë armatimesh me Rusinë, por ajo që është konsideruar gjerësisht si agresion i Moskës ndaj Ukrainës e ka detyruar atë të përforcojë mbrojtjen e saj.

Shtetet e Bashkuara njoftuan planet gjatë kësaj jave për të stacionuar tanke dhe armatime të rënda në vendet anëtare të NATO-s përgjatë kufirit me Rusinë, vetëm pak kohë pasi Presidenti rus, Vladimir Putin tha se Moska do të shtonte 40 raketa të reja ndërkontinentale në arsenalin e saj bërthamor.

“Nuk do të përfshihemi në një garë armatimesh, por do të sigurojmë mbrojtjen e vendeve tona”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për reporterët në fillim të një takimi të ministrave të Mbrojtjes së aleancës.

Një zyrtar rus akuzoi NATO-n gjatë javës së kaluar se po e shtynte Rusinë në një garë armatimesh, duke shtuar aktivitetet e saj ushtarake përreth kufirit të saj, duke u afruar jo më larg se ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik të Baltikut.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, në pjesëmarrjen e tij të parë të këtij ministeriali të NATO-s, bëri të ditur të martën se shtetet baltike – Estoni, Lituani, Letoni – ashtu sikurse dhe Bullgaria, Rumania dhe Polonia kanë rënë dakord të mirëpresin armatime të rënda nga SHBA-të.

Ky ishte vetëm njëri prej një sërë hapash që Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë duke ndërmarrë për të përforcuar aleatët e tyre në Europën Lindore, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë vitin e kaluar, por edhe për atë që NATO e konsideron si mbështetje ushtarake të Rusisë për separatistët në Lindje të Ukrainës.

Stoltenberg tha se vendimi i SHBA-ve për të sjellë armatime të rënda në Europën Lindore ishte një masë mbrojtëse dhe refuzoi sugjerimet se ky mund të përbëjë një hap provokues.

“Kjo është një përgjigje e matur dhe e nevojshme, ndaj asaj që kemi parë të ketë bërë Rusia përgjatë një kohe të gjatë”, tha ai. “Ajo çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë nuk është mbrojtje. Të aneksosh një pjesë të një shteti tjetër nuk është veprim mbrojtës, por është një akt agresioni”, tha ai. “Ndërsa tashmë po përdorin retorikën bërthamore dhe stërvitje të tjera bërthamore, si pjesë e qëndrimit të tyre ‘mbrojtës’. E gjitha kjo krijon kushtet e një mjedisi të ri sigurie”, deklaroi Stoltenberg.

Top Channel