Operacioni, 400 efektivë në Lazarat për kapjen e “grupit të zjarrit”

24/06/2015 00:00

Rreth 400 forca police, përfshirë FNSH-në dhe RENEA-n kanë rrethuar që prej orëve të pasdites së të mërkurës Lazaratin, duke u vendosur në pikat më kryesore të këtij fshati, me snajper dhe armatim të rëndë. 

Ata kanë mbajtur në vëzhigim të gjitha lëvizjet e grupit të armatosur që në orët e para të ditës qëlloi mbi 3 efektive të RENEA-s, duke i marrë jetën Ibrahim Bashës dhe duke plagosur Jetmir Isajn dhe Perlat Hamitajn.

Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në Lazarat, ku kanë hartuar dhe vënë në zbatim planin për neutralizimin e “grupit të zjarrit”, anëtarët e të cilit janë identifikuar dhe sipas njoftimeve zyrtare, lëvizin në fshat të armatosur.

Policia e Shtetit apelon se, “është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjesimin e grupit të armatosur, nëse ata i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë”.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit ka hedhur dritë mbi këtë ngjarje, duke saktësuar se gjithçka nisi në orën 2 e 30 të mëngjesit, kur forcat e FNSH-së, të vendosura në vendin e quajtur “Kazinoja”, mbi ish-pularinë në lagjen Lenxate, janë qëlluar me armë por pa pasoja.

Në orën 4 e 44 minuta, një tjetër grup i FNSH raportoi për të shtëna me armë zjarri. Në zonë vepronte një grup i armatosur dhe Drejtoria e Policisë nisi punën për rrethimin dhe kapjen e tij.

Në orën 9 të paradites, me ardhjen e RENEA-s filloi operacioni për kapjen e grupit të personave të armatosur, të cilët qëlluan ndaj efektivëve.

Gjatë operacionit, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës, u konstatua një automjet tip “Benz”, i bardhë dhe pa targa, i cili mbahej nën vëzhgim nga shërbimet e policisë.

U bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit Xhulio Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera të RENEA-s. Këto të fundit mbërritën me një mjet tip “Golf”, me targë “MB 060 AA” dhe kur u ndodhen në fërsi të vendit të quajtur “Pularia”, në drejtim të automjetit të tyre u qëllua me breshëri armësh, ku si pasojë mbetën të plagosur tre efektivët.

Ibrahim Basha, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Ndërsa dy kolegët e tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, nga spitali i Gjirokastrës janë transportuar me helikopter në Tiranë, për një trajtim më të specializuar.

Mësohet se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip “Benz”, ngjyrë e bardhë, së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Në automjet janë gjetur: një automatik kallashnikov, një pushkë model 63, një pushkë model 56, 3 gëzhoja model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes i mbushur me fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndër ta edhe fishekë mitrolozi, një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritoli, disa fishekë 12.7 mm, dy radio komunikimi deri në 5 kilometra, 3 aparate celularë, si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara se përmbaninë kokainë”, thuhet në njoftimin e Policise së Shtetit.

Gjithashtu, po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve të tjerë nga fshati Lazarat, për të parë nese kanë lidhje apo jo me ngjarjen. 

Top Channel