Votimi i Gjykatës Speciale, Thaçi e Mustafa mbledhin deputetët për të siguruar votat

24/06/2015 00:00

Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi nga Partia Demokratike dhe Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike, do të takojnë të enjten grupet parlamentare përkatëse për t’u siguruar përfundimisht se kanë votat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës, për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda dy subjekteve më të mëdha se krerët e tyre u kanë dhënë garanci Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian, se Gjykata Speciale do të miratohet nga Kuvendi ditën e premte.

Ndërkohë edhe grupet e tjera parlamentare të koalicionit qeverisës që vijnë nga minoritetet kanë konfirmuar votat e tyre pro formimit të gjykatës.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, ku u caktua seanca për këtë gjykatë, nuk u vendos që në seancë të miratohet edhe projektligji për këtë institucion.

Por burime brenda qeverisë kanë bërë të ditur se krerët e koalicionit janë pajtuar që të premten, pas miratimit të amendamenteve kushtetuese, që të vendosin nëse do ta miratojnë projektligjin po atë ditë, apo në një seancë tjetër.

Kjo, pasi projektligji proceduralisht nuk mund të miratohet në qeveri pa u ndryshuar Kushtetuta. Nëse krerët e koalicionit kërkojnë që qeveria të mblidhet të premten menjëherë pasi të ndryshohet Kushtetuta dhe ta miratojnë projektligjin për Specialen po atë ditë në Kuvend, atëherë nevojitet që sërish t’i kenë dy të tretat e deputetëve për ta shmangur rregulloren, që ai projektligj të mos i kalojë komisionet parlamentare por të votohet pa asnjë debat.

Mësohet se Mustafa dhe Thaçi do të kërkojnë të enjten nga deputetët e tyre që të miratojnë të premten edhe projektligjin për Specialen, duke shmangur rregulloren, në përpjekje për të evituar debatet që mund të nxiten nëse procedohet në formë të rregullt duke u diskutuar nëpër komisione para miratimit në seancë.

Top Channel