Nikos Kotzias takon Ahmetin e Thaçin, për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon

24/06/2015 00:00

Pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se ka përshtypjen se Athina është shumë e interesuar për zgjidhjen e problemit bilateral me Maqedoninë rreth emrit të këtij shteti.

Ahmeti, para diplomatit grek ka nënvizuar rëndësinë që ka për rajonin anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE. Me ministrin Kotzias, kreu i BDI-së ka rënë dakord se vendet e Ballkanit duhet të angazhohen seriozisht në drejtim të mbylljes së çështjeve të hapura për të garantuar më tepër stabilitet në rajon.

“Vërejta gadishmëri nga ministri i Jashtëm i Greqisë që mund të bisedohet. Greqia në këtë rast është mjaft e interesuar që ky problem të mbyllet sa më parë dhe Greqia të jetë një vend që do të përkrahë Republikën e Maqedonisë, për anëtarësim sa më të shpejtë në strukturat e NATO-s dhe BE-së”, tha Ahmeti.

Shefi i diplomacisë greke ka takuar edhe liderin e PDSH-së opozitare, Menduh Thaçin. Nga kabineti i këtij të fundit, përmes një komunikate, bëjnë të ditur se Thaçi ka njoftuar ministrin grek me ofertën e partisë së tij për tejkalimin e krizës së brendshme politike, si dhe nevojën për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të emrit, për t’i hapur rrugë integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

Në njoftim thuhet se bashkëbiseduesit kanë ranë dakord se stabiliteti rajonal arrihet nëpërmjet marrëdhënieve të shëndosha ndërfqinjësore, e në këtë kontekst zgjidhja e çështjes së emrit nëpërmjet një kompromisi ka rëndësi të madhe për fqinjësinë e mirë, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Gjatë takimit të përbashkët, Thaçi është shprehur se, tejkalimi i këtij dallimi hap rrugën e integrimeve dhe siguron një perspektivë më të mirë për vendin dhe rajonin.

Top Channel