Tahiri: Akt terrorist banditesk; asnjë informacion nga SHISH për ndikime nga rryma ekstremiste

24/06/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur mbrëmjen e së mërkurës për Top Channel mbi ngjarjen në Lazarat, duke bërë fillimisht një kronologji të ngjarjes.

“Ajo që ka ndodhur ka qenë një patrullim normal, por që u bë i jashtëzakonshëm pasi u qëllua me armë. Policia ndaloi një automjet dhe drejtuesin e saj, kur papritur u qëllua pabesisht”, ka sqaruar Tahiri.

Duke folur për rrethanat eventuale të kësaj ngjarjeje, Tahiri ka vlerësuar se, “mungesa e shtetit në Lazarat nuk mund të zhbëhet brenda një viti, apo përmes një aksioni”, duke iu referuar operacionit të një viti më parë që çrrënjosi kanabisin.

“Efektivi Ibrahim Basha u vra në mënyrë të pabesë nga disa frikacakë”, ka thënë më tej Tahiri, i cili ndonëse ka refuzuar ta politizojë ngjarjen, i ka bërë një apel opozitës.

“Nuk dua të bëj politikë me këtë ngjarje, por opozita nuk ka gjetur kurrë kurajon të mbështesë Policinë e Shtetit në luftën kundër bandave kriminale, siç është kjo në Lazarat. Opozita para se të kërkojë transparencë bën mirë të dënojë hapur ngjarjen, që ka si protagonistë disa frikacakë që fshihen skutave dhe godasin policinë”, ka thënë Tahiri.

I pyetur mbi detajet e ngjarjes, ministri i Brendshëm është përgjigjur duke thënë se, “transparencën le t’ia lëmë hetimeve. Nuk mund të prononcohem para punës së hetuesve dhe prokurorëve. Por ai që e bëri do të përballet me pasojat e paimagjinueshme të drejtësisë”.

Ndërsa, “policia në operacionin ndaj bandës do të veprojë sipas ligjit”, ka shtuar ai. “Kush do qoftë që mban përgjegjësi për këtë që ka ndodhur do të ketë pasoja të paimagjinueshme të shtetit, të ligjit dhe të drejtësisë. Policia do të veprojë sipas ligjit dhe aty është e parashikuar qartë se si veprohet ndaj personave që mbajnë armë apo që qëllojnë kundër policisë”, tha Tahiri.

Në vijim të pyetjeve, zoti Tahiri ka hedhur poshtë zërat për një ndërhyrje të pa organizuar të policisë në fshat, duke nënvizuar se gjithçka kishte qenë e përgatitur në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur një koordinim me SHISH, sepse nuk ka pasur të dhëna për një prirje ekstremiste të të dyshuarve, referuar disa fotove të tyre në rrjetet sociale, ku ata shfaqeshin me një shenjë, që u atribuohet militantëve të Shtetit Islamik, ka shtuar Tahiri.

“Informacione nga Shërbimi Informativ nuk ka pasur, qoftë për tendenca ekstremizmi të dhunshëm me bazë fetare në atë zonë. Ne kemi informacion që disa njerëz e kanë këtë prirje, por mbetet që hetimet ta zbardhin se kush është motori që i ka shtyrë këta persona të qëllojnë me armë kundër policisë”, tha Tahiri.

Top Channel