Tsipras shpërthen ndaj kreditorëve: Nuk duan marrëveshje me Greqinë

24/06/2015 00:00

Kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka kritikuar ashpër kreditorët ndërkombëtare të vendit të tij, për shkak se ata nuk i kanë pranuar propozimet e fundit që Greqia u ka bërë, në kuader të reformave për boxhin.

Sipas Tsipras, “kjo nuk ka ndodhur me asnjë rast të ngjashëm më parë dhe mund të jetë një shenjë e pastër se ndërkombëtarët nuk duan të bëjnë marrëveshje me Greqinë”.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Tsipras ka refuzuar kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shkurtuar pensionet dhe shpenzimet. Por, afati i fundit i bisedimeve është caktuar dita e enjte, e cila pritet të finalizojë gjithçka që është rakorduar deri tani.

Por, ajo që duket se është shpresa më e madhe për Greqinë në këto momente është Banka Qendrore Europiane. Presidenti i saj, Mario Draghi vazhdon t’i japë dorë bankave greke, duke rritur fonde emergjente shtesë për to.

Kjo masë vjen për t’i larguar bankat greke nga frika dhe trysnia në të cilën ato gjenden kohët e fundit. Në po të njëjtin panik janë edhe shtetasit grekë, të cilët po tërheqin paratë nga bankat vendase, me ritme shumë herë më të mëdha se më parë, nga frika se ato mund të falimentojnë.

Top Channel