Mësymja në Lazarat, shkon në 14 numri i të arrestuarve

25/06/2015 00:00

Pas disa orësh kontrolle në fshatin Lazarat, uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e 3 personave të tjerë të dyshuar si anëtarë të “grupit te zjarrit”, duke e çuar në 14 numrin e të arrestuarve.

Ata janë: Zhaklin Dërxho, Gurim Skënderi, Albon Meçi, Denis Mahmutaj, Rustem Mahmutaj, Xhuljano Nuri, Fatmir Gërveshi, Sinan Rabaj, Jeton Kalemi, Sevo Shurdhi, Xhuljan Malo, Gerald Bime, Xhemil Gjolleshi dhe Eligent Basha.

Pak minuta pas orës 6 të mëngjesit, RENEA dhe FNSH rinisën aksionin në Lazarat. Me mjete të blinduara dhe shumë forca në terren nisi kontrolli banesë më banesë për të gjetur armët dhe personat e “grupit të zjarrit” dhe veçanërisht vrasësit e efektivit të policisë, Ibrahim Basha.

Të parat që u kontrolluan ishin banesa e vëllezërve Aliko, të akuzuar si anëtarë të bandës, si dhe banesa e Sebastian Shurdhit. Ky i fundit u dorëzua në Fier dhe është shoqëruar nga policia në Komisariatin e Gjirokastrës. Kontrollet po vazhdojnë në çdo banesë me shumë imtësi dhe me masa të rritura vigjilence.

Policia kërkon dorëzimin e të kërkuarve dhe ka paralajmëruar se, nëse ata reagojnë me armë do të asgjësohen. Ky paralajmërim ka dhënë tashmë efektet e tij sepse një pjesë e të shpallurve në kërkim nga ana e policisë janë vetëdorëzuar në postobllokun e policisë që ndodhet pranë fshatit Lazarat.

Top Channel