ISIS sulmon Kobanen. Forcat kurde po i afrohen Raqqasë, zemrës së kalifatit

25/06/2015 00:00

Disa muaj pasi u çlirua në vazhdën e një beteje të gjatë e të mundimshme, qyteti sirian i Kobanes rrezikon rikthimin nën darën e terrorit të Shtetit Islamik.

Luftëtarët e ISIS-it raportohen të kenë hyrë sërish në qytetin kufitar me Turqinë. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut flet për disa të vrarë nga përplasjet e armatosura në zemër të Kobanes.

ISIS, sipas drejtorit të kësaj organizate, Rami Abdel Rahman, fillimisht dërgoi një kamikaz pranë një pike kufitare me Turqinë. Pas kësaj, përleshje të dhunshme shpërthyen në qendrën e qytetit, ku dergjen nëpër rrugë trupa të pajetë. Të shtënat kanë vazhduar përgjatë gjithë mëngjesit të sotëm. Burimet spitalore e vendosin bilancin e vdekjeve në 12, ndërsa mbi 70 vetë kanë mbetur të plagosur.

Nuk dihet me siguri, sesa njerëz jetojnë aktualisht në Kobane. Qyteti, që në arabisht njihet si Ayn al-Arab, dhe fshatrat përreth tij numëronin rreth 400 mijë banorë, shumica kurdë. Por kur ISIS ndërmori ofensivën e tij shtatorin e vitit 2014, mbi 100 mijë vetë morën arratinë drejt Turqisë, e mbase të tjerë i kanë pasurar më vonë.

Forcat kurde, të ndihmuara edhe nga ajri prej Shteteve të Bashkuara, e rimorën nën kontroll qytetin janarin e 2015-s. Beteja e tyre për Kobanen pushtoi faqet e para të gazetave dhe zuri vend qendror në edicionet informative.

Që prej atëherë, ISIS ka pësuar një sërë humbjesh përballë trupave kurde, që në fillim të javës rimorën një qytet të rëndësishëm, Ain Issan, e ndodhur vetëm 50 km nga kryeqyteti “de facto” i kalifatit islamik, Raqqaja. Më herët, në duart e tyre kishte rënë edhe Tal Abyadi, ndërsa grupit të dhunshëm ektremist i ishte mbyllur një linjë kyçe furnizimi.

Top Channel