Rifillimi i bisedimeve, Tsipras tenton marrëveshje me kreditorët. Koha për Greqinë po mbaron

25/06/2015 00:00

Bisedimet urgjente të paradites së të enjtes mes kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, dhe huadhënësve ndërkombëtarë kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje mbi zgjidhjen e ngërçit të krijuar prej borxhit grek.

Kriza e Athinës thellohet kështu edhe më shumë. Ministrat e Financave të Eurozonës, të cilët duhet të finalizonin ujdinë, do të diskutojnë tani planin e propozuar nga kreditorët. I pranishëm do të jetë dhe Janis Varoufakis, i cili pritet të japë argumente e mbështetje të propozimit të Athinës, çfarë tregon se grekët janë të vendosur të mos lëkunden nga ideja e tyre.

Takimi i orëve të vona mbrëmjen e së mërkurës me krerët e FMN-së, BQE-së dhe Komisionit Europian dështoi në sheshimin e hendekut të qëndrimeve dhe, mëngjesin e sotëm, palët u ulën sërish në tryezën e negociatave me në sfond kundërshtimet e shefes së Fondit Monetar, Christine Lagarde, për nismën greke të rritjes së taksave mbi bizneset dhe të pasurit.

Reformat, sipas saj, nuk ishin mjaftueshëm të besueshme. Edhe pse më herët Komisioneri europian Pierre Moscovici hapi një dritare shprese, me sugjerimin se marrëveshja është e mundur, shumë ministra të Financave, përfshirë këtu belgun Johan van Overveldt, u treguan të matur, ndërsa sllovaku Peter Kazimir tha se, nuk ka arsye për nxitim sa i takon vulosjes së paktit me Athinën, që deri në fund të qershorit duhet t’i shlyejë FMN-së borxhin prej 1,6 miliardë eurosh.

Mospagimi mund të çojë në daljen e Greqisë nga Eurozona, e mbase edhe nga vetë Bashkimi Europian. Në Spanjë, zhvillimi i odisesë së borxhit grek po ndiqet me vëmendje të veçantë. Ky vend është edhe vet i zhytur në krizë ekonomike.

Sipas kryetarit të grupit socialist në Parlamentin spanjoll, Antonio Hernando, u desh një kohë e gjatë deri sa qeveria greke të kuptonte se duhet të hiqte dorë nga kokëfortësia, e mungesa e dëshirës për kompromis, ndërsa tani edhe BE-ja – sipas tij, – duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.

Top Channel