Përurohet aeroporti i ri në Penian; me kafene dhe dyqane “duty-free”

25/06/2015 00:00

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un ka përuruar aeroportin e ri të Penianit. Struktura e re, që do të shërbejë vetëm për pak fluturime, pritet të hapet më 1 korrik.

Faqe të ndryshme të së përditshmes së Partisë së Punës përmbanin foto të Kim dhe bashkëshortes së tij, Ri Sol ju duke vizituar terminalin.

Në një foto shfaqet një bar me shishe birrash, në një tjetër një bar ku shërbehen kafe ekspres, ndërsa në të tjera dyqane “duty-free”.

Ndërtesa, që ka një fasadë prej xhami, raportohet të jetë 6 herë më e madhe se terminali i vjetër, por numri i pasagjerëve ka gjasa të jetë i ulët.

Shumica e fluturimeve që nisen nga kryeqyteti koreano-verior kanë në bord turistë kinezë ose zyrtarë koreanë që shkojnë për motive pune në Pekin.

Autoritetet në vendin e izoluar komunist kanë publikuar në vitet e fundit projekte për godina të mëdha, por grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë se popullësia vazhdon të jetojë në varfëri ekstreme.

Më herët gjatë muajit, autoritetet deklaruan se vendi po përballet me thatësirën më të rëndë të shekullit, duke ngritur frikën për shkurtim të rezervave ushqimore. 

FOTO GALERI
1/2

Top Channel