Lazarat, mbikëqyret vendi i ngjarjes; gjenden mbi 100 gëzhoja

25/06/2015 00:00

Agjentët e policisë në Lazarat kanë lokalizuar vendin prej nga një ditë më parë u hap zjarr ndaj efektivëve të RENEA-s. Agejntët kanë kryer atje mbikëqyrjet e para duke arritur në përfundimin se autorët kanë qëlluar nga një hapësirë të krijuar në një mur të ngritur në hyrje të fshatit.

Nga të dhënat e fundit mësohet se atje janë gjetur mbi 100 gëzhoja kallashnikovi e mitralozi dhe është vërtetuar se personat që qëlluan kanë qenë disa dhe jo një i vetëm, nisur edhe nga fakti se efektivët, ditën e mërkurë, u gjendën nën një breshëri plumbash.

Në vendin e krimit janë konstatuar gjithashtu 10 vatra zjarri, si dhe një granatë dhe një thikë. Në fshat ndodhen edhe ekspertë të kriminalistikës, të cilët po koordinohen me efektivët për mbledhjen e provave materiale.

Vetëm pak më herët, pas disa orë kontrolle, policia arrestoi 3 persona të tjerë, të dyshuar si anëtarë të “grupit të zjarrit”, duke e çuar në 14 numrin e të arrestuarve.

Top Channel