Vendimet që miratoi qeveria në mbledhjen më të fundit

25/06/2015 00:00

Qeveria miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme, në mbledhjen e sa më të fundit, të zhvilluar të mërkurën. Një pjesë e vendimeve lidhen me financime dhe shpronësime, ndërsa disa të tjera u përkasin fushave të arsimit, shkencës, menaxhimit të mbetjeve urbane etj.

Më poshtë janë vendimet e miratuara:

-U miratua financimi i vlerës së TVSH-së dhe lejeve administrative në shumën 39 400 000 (tridhjetë e nëntë milionë e katërqind mijë) lekë, për zbatimin e komponentit të infrastrukturës dhe supervizionit për projektin strategjik “Përmirësimi i infrastrukturës ndërkufitare”, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA, Shqipëri-Mali i Zi, komponenti II.

-U vendos për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të truallit me sipërfaqe 2000 (dy mijë) metra katrorë (m2), të ndodhur në zonën kadastrale 8591, që do të shërbejë për ngritjen e ndërtesës së re të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër.

-U miratua në parim marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës.

-Qeveria vendosi edhe miratimin e standardeve të shërbimeve në Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencës, si dhe i standardeve të shërbimit të njësive për mbrojtjen e fëmijëve.

-U miratuan kriteret e tregtimit, certifikimit dhe testimit të farës së patates.

-U miratuan kërkesat për menaxhimin e mbetjeve inerte me qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit si dhe mbrojtjen e shëndetit publik, përmes minimizimit të ndikimeve negative.

-Qeveria mori vendim edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Llapaj-Peshkopi.

-U vendos për ngritjen e rrjetit të njësive të integrimit europian, si strukturë e veçantë, dhe rrjetit të njësive të hartimit të legjislacionit, në përbërje të të gjitha ministrive, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së hartimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me të BE-së.

Top Channel