Përgjimet e NSA-së; Hollande i telefonon Shtëpisë së Bardhë. Obama premton: Nuk do të përsëritet

25/06/2015 00:00

Presidenti Francois Hollande i telefonoi të mërkurën homologut amerikan Barack Obama për të diskutuar mbi përgjimet e tre presidentëve francezë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë sërish ka premtuar se taktikat e përgjimit do të ndalohen, duke i cilësuar ato si të papranueshme mes vendeve aleate.

Një premtim të ngjashëm Obama e bëri edhe pasi Edward Snowden zbuloi metodat e përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në vitin 2013.

Biseda telefonike me dy liderëve erdhi pasi WikiLeaks publikoi të martën dokumente, që tregonin se NSA kishte përgjuar nga viti 2006 deri ne 2012-n ish-presidentët francezë Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy, si dhe vetë shefin aktual të pallatit Elize.

Vetë NSA, as mohoi dhe as pohoi kryerjen e këtyre përgjimeve. Zëdhënësi i saj, Ned Price tha se, “nuk ka ndërmend të komentojë asnjë rast specifik përgjimi”.

“Në përgjithësi nuk ndërmarrim aktivitete përgjuese nëse nuk ka për qëllim sigurinë kombëtare. Kjo vlen si për qytetarë të zakonshëm, ashtu edhe për udhëheqës botërorë. Presidenti Hollande nuk është në shënjestrën tonë. Ne punojmë ngushtë me Francën, si një partnere e padiskutueshme e jona”, tha Price.

Top Channel