Patozi: Procesi i numërimit në Vorë po zvarritet, mazhoranca të heqë dorë nga përpjekjet e dhunshme

25/06/2015 00:00

Partia Demokratike denoncoi përpjekje për të vjedhur votën në Vorë. Astrit Patozi, deputet i PD-së, tha se ka zvarritje të qëllimshme të numërimit të votave të partive nga maxhoranca.

“Ndonëse numërimi i votave për kandidatin përfundoi të hënën në drekë ka zvarritje të qëllimshme që shoqërohen me shkelje të Kodit Zgjedhor nga përfaqësuesit e shumicës në KZAZ. Ndërkohë situata është e nderë dhe përfaqësuesit e PD-së ndodhen nën presion, në Vorë zhvillohen çdo ditë protesta nga militantë të mazhorancës që pretendojnë manipulim nga opozita. Ata udhëhiqen nga drejtues të lartë të LSI-së. Kjo është hera e parë në Shqipërië që pushteti proteston në rrugë duke akuzuar opozitën që ka vjedhur votat. Përfaqësues të saj janë shprehur për 500 transferime, por e vërteta është se janë vetëm 59 raste që nga janari e këtëj. Me kërkesë ka nisur hetim që nuk përbën shqetësim për ne. Dje, prokurori i çështjes Genci Qana u pa në shoqërinë e zv.ministres së Arsimit Nora Malaj, që është e ngarkuara e LSI për zgjedhjet në Vorë”, deklaroi Patozi.

PD i kërkon maxhorancës të heqë dorë “nga përpjekjet e dhunshme dhe të paligjshme për të zvarritur procesin e numërimit dhe të ndalë protestat”.

“Nëse sot po protestohet nga qeveria se PD u paska vjedhur votat nuk është çudi që nesër të kemi protesta që Shqipëria të mos ketë fare opozitë”, tha Patozi.

Top Channel