Cannon: Një klikë gjyqtarësh të korruptuar mban peng drejtësinë

25/06/2015 00:00

Debati për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevoja për reformimin e tij është zhvendosur në Universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë.

Në debatin e radhës ishin të pranishëm gjyqtarë, avokatë, pedagogë dhe studentë të mbledhur nga gjithë vendi e jo vetëm nga qyteti bregdetar.

Debati u fokusua në kuadrin kushtetues, në bazë të të cilit ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet e drejtësisë në vend.

Në fjalën e tij, ambasadori britanik Nicholas Cannon vlerësoi se reforma në drejtësi është një proces i rëndësishëm, ndonëse i vështirë.

“Më duhet të them se në zemër të gjyqësorit shqiptar është ngritur një klikë gjyqtarësh që veprojnë në grup, duke e përdorur sistemin gjyqësor për përfitime, duke blerë dhe shitur drejtësi. Korrupsioni në gjyqësor e bën të vështirë luftën ndaj kriminalitetit”, deklaroi Cannon.

Cannon vlerësoi se, sado që policia dhe prokuroria të bëjnë punën e tyre, nëse ekzison një sistem gjyqësor i korruptuar, masat ndaj krimit nuk do të jenë kurrë efikase.

“Komisioni Europian ka identifikuar si pengesën numër një për progresin drejt Bashkimit Europian sistemin gjyqësor. Pa reformën në drejtësi procesi i integrimit të Shqipërisë do të bllokohet”, vijoi ambasadori.

Ai shtoi se, një grup i vogël njerëzish, më pak se 100, po helmojnë institucionet dhe shoqërinë shqiptare, duke mbajtur peng të ardhmen e një kombi të tërë.

Ndërsa Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, tha se, përmes paanshmërisë dhe transparencës mund të kapërcehen problemet e ndryshimeve kushtetuese në vend.

Top Channel