Shakaja e tepruar me futbollistin algjerian

25/06/2015 00:00

Një shaka pa kripë nga ato që mund të të kthejnë edhe në viktimë të atakut kardiak, e shndërroi në protagonist të pavullnetshëm futbollistin profesionist algjerian, Madjid Bougherra.

Bougherra u rrëmbye, u dërgua në shkretëtirë dhe iu tha se e priste ekzekutimi. Vetëm në momentin kur e detyruan me forcë të gjunjëzohej e të priste vdekjen, ose nga plumbat ose me prerje koke, u zbulua se ishte e gjitha një lojë e organizuar prej një televizioni algjerian. Shakanë e rëndë, lojtari i marrë peng nga aktorë që u hoqën si ekstremistë të armatosur, e ka përjetuar si të ishte e vërtetë.

32-vjeçari Bougherra ka luajtur me Charlton Athletic përpara se të kalonte tek skocezët Rangers në vitin 2008, për një pagesë prej 2,5 milionë paund. Aktualisht, ai i është bashkuar Al-Fujairah, ekip pjesëmarrës në kategorinë e parë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Shakaja u filmua për “Camera Cache”, një show televiziv në Algjerinë që vazhdon të mbetet në gatishmëri të lartë prej kërcënimeve të vazhdueshme terroriste.

6 britanikë dhe 30 pengje të tjerë perëndimorë u ekzekutuan në këtë vend, janarin e vitit 2013, pasi ishin marrë peng në një kompleks gazi nga Al Kaeda.

Top Channel