BDI mbështet qëndrimin e VMRO-DPMNE: 3 muaj mandat për qeverinë kalimtare

25/06/2015 00:00

BDI, njësoj si edhe VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit, vlerëson se tre muaj mandat do t’i mjaftonin qeverisë kalimtare për të organizuar zgjedhje korrekte demokratike.

Këtë qëndrim të partisë shqiptare në pushtet, në prag të raundit vendimtar të bisedimeve më 29 qershor, e ka bëri të ditur për mediat nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.
 
“Mendoj se është variant korrekt dhe kompromis që 3 muaj përpara zgjedhjeve të parapara e të paralajmëruara me këtë marrëveshje për në prill të vitit 2016, të ketë një qeveri tjetër, e cila në fakt do të merret vetëm me organizimin e zgjedhjeve”, ka pohuar Arifi.
 
Ndërkohë, zv.kryetarja e partisë opozitare maqedonase LSDM-së, Radmilla Sheqerinska ka vlerësuar se kjo përbërje qeveritare nuk ka vullnet politik të adresojë vërejtjet e Raportit të Pribes, një pjesë e madhe e të cilave përsëriten prej vitesh me radhë.
 
“Për gjithë këto reforma për të cilat flasim, sundimi i ligjit, mediat, drejtësia, punët e brendshme, të drejtat themelore të njeriut, 100 herë janë përmendur në raportet evropiane, ndonjëherë edhe me afat, por nuk janë respektuar. Afatet janë këtu për të na shtrënguar, sepse nëse partitë politike dhe liderët politikë e ndjejnë se kjo mund të zgjasë deri në pafundësi, nuk do të ketë marrëveshje”, ka  deklaruar për mediat, Radmilla Sheqerinska.

Mediat maqedonase, duke u bazuar në burime diplomatike, pohojnë se VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit ka pranuar qeveri kalimtare me mandat tremujor. Mediat gjithashtu pohojnë se edhe partitë parlamentare shqiptare e mbështesin këtë qëndrim të partisë së Gruevskit.

Por opozita maqedonase këmbëngul në qëndrimin saj se qeverisë kalimtare i duhet mandat të paktën 6-mujor për t’i eliminuar dhe parandaluar parregullsitë e proceseve të zgjedhore, të nënvizuara në raportet e OSBE/ODIHR.

Top Channel