Kosovë, AAK zgjedh Avni Arifin si kryetar të Prishtinës

25/06/2015 00:00

Avni Arifi, këshilltari kryesor politik i Ramush Haradinajt, është zgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.

Arifi ka marrë besimin unanim të anëtarëve të Këshillit Drejtues të AAK-së, pas një procesi zgjedhor të mbajtur në të gjitha strukturat e AAK-së në kryeqytetin kosovar.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte i pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të partisë që drejton, tha se Aleanca i duhet Kosovës si projekt politik, kurse Aleancës i duhet një degë e fuqishme në Prishtinë.

“Unë kam një besim të fuqishëm në strukturat drejtuese të partisë dhe në ato të degës së kryeqytetit, ndaj për asnjë moment nuk do të mungojë përkrahja dhe mbështetja ime për Aleancën e Prishtinës, për Prishtinën, për kryetarin e ri, Avni Arifi, dhe për të gjithë ju”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i sapozgjedhur i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, pasi ka falënderuar parardhësin e tij, Besnik Tahirin, është zotuar për punë të përgjegjshme në çuarjen përpara të vizionit të Aleancës për Prishtinën, për një jetë më të mirë të qytetarit prishtinas dhe për një kryeqytet të cilin e meritojnë prishtinasit.

Pas përmbylljes së procesi zgjedhor nëpër degët e saj nëpër Kosovë, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor, më 2 korrik, në Prishtinë.

Top Channel