MIGA, 457 milionë euro sektorit bankar në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bjellorusi dhe Bosnjë

25/06/2015 00:00

Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA), institucion i Grupit të Bankës Botërore që merret me sigurimin kundër riskut politik dhe rritjen e kreditimit, ka njoftuar se do të ofrojë dorëzani në mbështetje të huadhënies së vazhdueshme për ekonominë reale në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bjellorusi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

MIGA do t’i japë dorëzani prej 457 milionë euro RBI-së, grupit të dytë më të madh financiar që ushtron aktivitet në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Mbulimi nga MIGA do ta zvogëlojë riskun e operacioneve të RBI-së në këto vende, duke i dhënë mundësi kësaj banke të vazhdojë të japë kredi në to, duke nxitur kështu rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë.

Banka Botërore shpreson që, përmes përfshirjes së MIGA-s, filialeve të “Raiffeisen Bank International” në këto vende do t’u kërkohet të përgatisin dhe zbatojnë sisteme të menaxhimit mjedisor dhe shoqëror, në përputhje me risqet e portofolëve të tyre.

Pritet gjithashtu që ky kapacitet shtesë të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme kohore të klientëve biznes i madh dhe projekteve të investimeve të filialeve të kësaj banke.

“Dorëzanitë e MIGA-s janë një mjet i rëndësishëm për menaxhimin e profilit të risqeve tona, teksa përpiqemi të përqendrohemi në tregje premtuese ku të mund të luajmë një rol të qëndrueshëm lidhur me ofrimin e mundësisë për të marrë financim. Jemi mjaft krenarë që jemi grupi i parë bankar austriak që vë në zbatim këtë product”, u shpreh Karl Sevelda, drejtor i Përgjithshëm i “Raiffeisen Bank International AG”.

Ndërsa Keiko Honda, drejtor i Përgjithshëm dhe zv.president Ekzekutiv i MIGA-s shprehu angazhimin për t’i mbështetur ekonomitë që janë prekur nga kriza financiare ndërkombëtare. “Në veçanti, mbështetja jonë për sektorin financiar në këto vende mund të ndihmojë në thellimin e tregjeve të kredive, nga e cila do të përfitojnë si bizneset, ashtu edhe konsumatorët”, ka shtuar ai.

Mbështetja që MIGA jep mbështetet tek roli i rëndësishëm që kjo agjenci ka luajtur për të mbështetur Planin e Përbashkët të Veprimit të IFN-ve, vënë në zbatim nga Grupi i Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve, në përgjigje të krizës financiare botërore.

Deri tani, MIGA ka lëvruar 1.9 miliardë dollarë dorëzani në kuadër të nismës në mbështetje të ekonomive të Europës Lindore.

Top Channel