Lamtumira e Ibrahim Bashës. Homazhet, në Pallatin e Brigadave; prehet në Varrezat e Dëshmorëve

25/06/2015 00:00

Ibrahim Basha u nda nga jeta me shpresën e një Shqipërie tjetër, një Shqipërie pa krim dhe në paqe. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit ishin aty të përlotur, të afërmit, miqtë, shokët e armës të repartit special RENEA, kolegë të Policisë së Shtetit, ambasadorë, anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe personalitetet më të larta shtetërore, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Pavarësisht polemikave të një dite më parë me qeverinë për ngjarjen e Lazaratit, edhe opozita ka marrë pjesë në ceremoni. Në mungesë të kryetarit Basha, që ndodhet në Bruksel, PD ishte përfaqësuar nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, deputetët Ristani e Noka dhe deputeti Paloka, ndërsa nga Bashkia e Tiranës nënkryetarët Nevila Xhindi dhe Eno Bozdo.

Më herët në Pallatin e Brigadave u kryen homazhet e rastit. Kryeministri Edi Rama tha se, i gjithë kombi i është mirënjohës Ibrahim Bashës.

“E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar, sepse jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës. Por pikërisht kjo e vërtetë e papranueshme, na solli ne të gjithëve këtu për të përcjellë me nderime, jo njeriun që nuk njihnim, por të gjithë ata që janë gati të vdesin bashkë me të ardhmen dhe ëndrrat e tyre për paqen dhe sigurinë e të gjitha familjeve tona. Ibrahim Basha është sot të gjithë ata së bashku. Duke nderuar këtë njeri, me të cilin neve nuk na lidhte personalisht asgjë, ne nuk përulemi përpara një personi të vdekur, por përpara një simboli të sakrificës”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Kryetari i Parlamentit tha se, Ibrahim Basha e kreu detyrën e tij, ndërsa tani është radha e shtetit të bëjë detyrën, ndërsa ministri i Brendshëm tha se kriminelët do të kapen së shpejti.

“Ibrahim Basha, ti e kreve detyrën tënde. Është përgjegjësia jonë, e shtetit, e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë, që të kryejmë detyrën tonë. Të vendosim drejtësi për Ibrahimin dhe të gjithë dëshmorët e rënë. Është sakrifica e tyre sublime që kërkon drejtësi, rend dhe ligj”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

“Na kanë vrarë të gjithëve nga pak, miku ynë. Ajo dorë ka goditur shtetin, ligjin, është ngritur kundër shoqërisë dhe kundër çdo shqiptari të ndershëm. Këtë e di familja jote, e dinë miqtë e tu, e dinë kolegët e tu në Policinë e Shtetit, që edhe tani janë në Lazarat për të vazhduar punën tënde”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Familjaret e tij kanë kërkuar drejtësi.

“Kërkojmë të gjenden autorët, të vihet drejtësia në vend. Me një drejtësi më të mirë se kjo që kemi, sepse duke mos e pasur shumë të shëndoshë drejtësinë kemi arritur deri aty, saqë krimi të ketë sukses”, tha një familjar i të ndjerit Ibrahim Basha.

RENA u betua se do të vazhdojë punën e Ibrahimit.

“Na mbetet neve, kolegëve të tu o Ibrahim, që atë mision të nisur bashkë të gjithë, ta përfundojmë ne të tjerët”, deklaroi një pjesëtar i forcave speciale RENEA.

Ambasadori amerikan Donald Lu tha se nderon detyrën e tij në Afganistan dhe Irak.

“Ne nderojmë gjithashtu  shërbimin e tij për çështjet e paqes në Afganistan dhe në Irak. Vrasja e oficerit të RENEA-s në Lazarat ishte një tragjedi kombëtare”, deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.

***

Fragmente nga fjala e kryeministrit Rama gjatë ceremonisë së varrimit te “Dëshmorët e Kombit”.

“Ibrahimi sot do të varroset si dëshmor në kohë paqeje. Jemi sot këtu që ta nderojmë atë, edhe pse nderimi ynë nuk mund t’i kthejë atij të ardhmen që ia morën. Jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës, ndaj ne jemi këtu për ata që sakrifikojnë jetën e tyre për një vend më të sigurt”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se, të gjithë njerëzit e mbledhur sot në këto homazhe ndodhen përpara një heroi, “provë e gjallë e një vlere të paçmuar, që duhet të na kujtojë se paqja nuk është dhuratë e zotit, por përkushtim dhe sakrificë i njerëzve që nuk i njohim”.

“Ndaj përulem me ndjenjën më të thellë të respektit përpara prindërve dhe familjes së Ibrahim Bashës”, ka thënë Rama.

Tahiri: Sfidat na bëjnë më të fortë

Goditja e ligjit për këdo që ka guxuar apo guxoi të vërë dorë mbi shtetin dhe Policinë e Shtetit. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në homazhet e zhvilluara për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha.

“Sfidat na bëjnë më të fortë, vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë”, tha Tahiri.

“Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, po ti ishe hero dhe për së gjalli me shokët e tu, të vendit tënd dhe të huaj. E gjithë Shqipëria u shtang se dora e krimit dhe terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd, ku luftë nuk ka, po ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoqë që kanë mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë, siç është dhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën ty. Luftove për të bërë të lirë e të sigurtë vende të tjera e popuj të tjerë, po jetën tënde e dhe për popullin tënd, këtu në vendin tonë”, vijoi ministri.

Tahiri u shpreh më tej: “Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka mbi dy dekada që rritet për t’i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin, drejtësinë. Ajo dorë mori jetën tënde, në atë fshat plot me njerëz të ndershëm, po ku kanë mbetur ende disa kriminale të përdorur. Në atë fshat që vjet e çliruam nga droga e krimi po që nuk kemi mbaruar ende. Ti dhe shokët e tu dini diçka që nuk e thoni kurrë, dini diçka që publiku nuk e di shpesh, krimit i mjafton të ketë sukses një herë në 100 apo 1000 raste, ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. E djeshmja ishte dita jote e pafat, Ibrahim. Na kanë vrarë të gjithëve nga pak, ajo dorë ka goditur shtetin”, tha Tahiri.

Lu: Në emër të SHBA, mirënjohje Ibrahim Bashës

Ambasadori i SHBA, Donald Lu, duke folur në homazhet në nder të efektivit Ibrahim Basha, ka vlerësuar maksimalisht kontributin e tij në misionet paqeruajtëse.

“Ne nderojmë kontributin e nëntetar Ibrahim Bashës në Irak e Afganistan. Ai ka marrë medalje për shërbimin e ofruar në këto misione të rrezikshme”, ka thënë Lu.

Në emër të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, ai i ka shprehur ngushëllimet familjes së tij dhe shqiptarëve.

Meta: Shteti të reagojë me forcën e drejtësisë

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij është shprehur se, Ibrahim Basha e kreu me nder detyrën e tij, ndaj meriton nderim dhe mirënjohje të përhershme.

“Ti dhe kolegët e tu na keni bërë krenarë me kontributin tuaj. Fatkeqësisht, terrorizmi goditi në mënyrë të pabesë. Eshtë detyra jonë, e shtetit dhe shoqerisë, të vendosim drejtësi”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se, “kjo sakrificë sublime duhet të shërbejë për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe një drejtësi të fortë”.

Pak momente pas homazheve, efektivi është përcjellë nga familjarët, të afërmit dhe kolegë të panumërt të tij për në banesën e fundit. Tashmë ai prehet tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Top Channel