Irani, ish-këshilltarët i shkruajnë Obamës: Marrëveshja mund të mos përmbushë standardet

25/06/2015 00:00

Pesë ish-pjesëtarë të rrethit të ngushtë si këshilltarë të Presidentit Obama mbi çështjen e Iranit kanë shkruar një letër të hapur, ku shprehin shqetësimet e tyre se marrëveshja e pritshme për të frenuar programin bërthamor të Iranit “mund të mos përmbushë as standardet e vetë administratës për një marrëveshje ‘të mirë’”, duke shtuar edhe një seri kërkesash minimale që Irani duhet të përmbushë në ditët e ardhshme, në mënyrë që të gjitha palët të mbështesin marrëveshjen përfundimtare.

Disa prej zyrtarëve të lartë thanë se letra e tyre ka ardhur si pasojë e shqetësimeve se, negociatorët e Presidentit Obama po u drejtohen lëshimeve të mundshme, që do të dobësonin inspektimin ndërkombëtar të objekteve bërthamore të Iranit, një hap shumë i largët krahasuar me detyrimin e Teheranit për të bërë transparent punimet e së kaluarës të dyshuara për armë bërthamore, si dhe duke lejuar kërkim-zhvillimet iraniane drejt rrugës së mundshme të rifillimit intensiv të prodhimit të karburantit bërthamor, sapo të skadojë marrëveshja.

Natyra publike e njoftimit nga disa prej ish-këshilltarëve më të njohur të Presidentit Obama, pasi të gjithë kanë pasur role qëndrore në përpjekjet diplomatike, zbuluese dhe ushtarake për të kundërshtuar programin bërthamor të Iranit, shtojnë kështu ngarkesë në sfidat me të cilat përballet Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një kohë kur negociatorët po i drejtohen afatit përfundimtar të së martës së ardhshme.

Letra i është dorëzuar Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, ditën e mërkurë.

Vetëm një ditë më parë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shtoi presionin ndaj negociatorëve duke u shfaqur haptazi në mbështetje të kundërt të disa prej dakordësive të arritura mes Iranit dhe Perëndimit në fillim të prillit, përfshirë edhe fushat ku ish-këshilltarët e Presidentit Obama nxisin një forcim të pozitës së amerikanëve.

Top Channel