Transeksualja i ndërpret fjalimin, Obama: Mos më ndërprit në shtëpinë time!

25/06/2015 00:00

Presidenti Barack Obama është detyruar të ballafaqohet me një transeksuale, gjatë një pritje në Shtëpinë e Bardhë për këtë komunitet dhe atë të homoseksualëve.

Obama ishte duke folur për të drejtat e këtyre komuniteteve, kur transekusalja meksikane, Jennicet Gutierrez, ndërhyri për të shprehur një problem të sajin, por jo në mënyrën më të mirë.

Në momentin kur ajo filloi të fliste, Obama tentoi ta ndalonte në disa mënyra të sjellshme, ndërsa në fund i tha se do ta nxirrte jashtë, pasi ajo nuk pushonte. “Prit një sekondë!”, reagoi fillimisht Presidenti Obama.

Gutierrez nuk ndalonte, prandaj Obama shtoi: “Në rregull, e di çfarë?”, dhe teksa lëvizte kokën i tha: “Jo, jo, jo, jo, jo”, duke përsëritur disa herë. Në momentin kur situata po tensionohej, Obama bën një batutë.

“Hej, dëgjo! Ti je në shtëpinë time”, u shpreh Obama, ndërsa në sallë shpërthyen të qeshurat.

“E di çfarë? Kjo tregon mos respekt për atë që të ka ftuar. Ti nuk do të marrësh një përgjigje nëse vazhdon të ndërhysh në këtë mënyrë. Më fal, më fal… duhet të kesh turp që po sillesh në këtë mënyrë”, ka shtuar Obama. 

Në fund, Obama i kërkon transeksuales që të rrijë e qetë, ndryshe do ta nxjerrë jashtë, dhe duket se ka ndodhur kjo e dyta, pasi ajo nuk lejonte Presidentin Obama të fliste.

Edhe pse ne video nuk dëgjohet mirë, mësohet se transeksualja meksikane po tregonte një problem me punonjësit e Zyrës së Emigracionit, dhe mënyrën se si ata e diskrimonin për shkak të faktit që është transeksuale.

Top Channel