Ish-kreu i myslimanëve boshnjakë të Srebrenicës ekstradohet në vendlindje

25/06/2015 00:00

Zvicra lëshoi këtë të enjte një urdhër ekstradimi drejt Bosnjes të një komandanti të kohës së luftës në mbrojtje të myslimanëve të Srebrenicës, duke refuzuar kështu një kërkesë konkurrente të Beogradit zyrtar për ta ekstraduar atë drejt Serbisë, ku do të gjykohej për krime lufte.

Gjatë luftës boshnjake të viteve 1992-’95, Naser Oriç ka qenë komandant i forcave myslimane boshnjake në rajonin e Srebrenicës, në Bosnje-Hercegovinë, një rajon që ra nën kontrollin e ushtarëve serbo-boshnjakë në korrik të ’95-s, periudhë gjatë së cilës rreth 8000 burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe.

Oriç u arrestua nga autoritetet zvicerane dy javë më parë, pas një urdhërarresti të vitit të kaluar nga Serbia, e cila e akuzon atë për vrasjen e serbëve në zonën e Srebrenicës. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2008 nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara në Hagë, pikërisht për akuzën e krimeve të luftës kundër serbëve.

Arrestimi, si dhe kërkesa pasuese për ekstradim e Serbisë irrituan myslimanët boshnjakë, si dhe kërcënuan të pengonin pjesëmarrjen e planifikuar të kryeministrit serb, Aleksanar Vuçiç në përkujtimet e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, gjatë muajit të ardhshëm, masakër që konsiderohet si vrasjet masive më të mëdha në tokën europiane që prej Luftës së Dytë Botërore. Organizatorët kërcënuan se do të shtynin shfaqjen.

Bosnja dorëzoi kërkesën e saj për ekstradim, duke thënë se Oriç ka një tjetër çështje të ngjashme në vendlindjen e tij, gjithashtu të lidhur me vrasjet e luftës së Bosnjes. Ndaj dhe drejtësia zvicerane deklaroi se i ishte dhënë prioritet kërkesës boshnjake. Ende nuk ka ndonjë reagim nga pala serbe.

Top Channel